FOTO/ Hapet xhamia më unike në trojet shqiptare

632

Nëse një ditë do shfaqej nevoja e ngritjes së një xhamie tek zona e ish-Bllokut në Tiranë, modeli më adekuat që do i shkonte asaj zone pa dyshim që do ishte ai i xhamisë që hapi dyert këtë të enjte në segmentin Sarandë – Delvinë.

Për momentin nuk ka ndonjë emër. Quhet thjesht xhamia e Bamatatit, vendit ku është ngritur, një lagje/fshat në Delvinë, tre kilometra në hyrje të këtij qyteti.

Ajo konsiderohet si xhamia më unike e ndërtuar deri më sot në Shqipëri, trojet shqiptare e më gjerë në rajon. Ajo gjithashtu shënon një pikë kthese në stilin e derisotëm të xhamive duke mos patur asnjë ndikim nacional por thelbësisht fetar, në gjithë linjat e saj.

Arkitekti i saj, Martin Shameti, një ndër më të spikaturit në jug, e shpjegon kështu këtë xhami, format, linjat dhe detajet e saj:

“Islami është një fe e bazuar në monoteizëm, koncept ky i panegociueshëm. Pikërisht këtu sendërtohet dhe filozofia e koncepti i këtij projekti, fakti i Zotit të qënurit “TEK”. Gjithë konturet gjeometrike dinamike, në vetvete kanë një theks vertikal, duke i dhënë përparësi vertikalizmit si vlerë në lidhjen mes njeriut dhe Zotit. Unifikohen të gjitha në “KULM”, në një pikë, duke theksuar kështu pikërisht monoteizmin në Islam. Propocionet numerike të xhamisë janë ngushtësisht të lidhura me numrin 7 dhe shumëfishin i tij, numër ky që përçon shumë urtësi e misteriozitet bashkë në Kur`an. Krahas qasjes moderne, në dy krahët e xhamisë nuk mungon edhe një nga elementët më klasikë në ndërtimin e xhamive: Harku. Pikërisht 8 të tillë; numër ky që përkon edhe me 8 dyert e parajsës (Xhen-netit). Linja të mprehta, të sigurta dhe të qarta dominojnë në projekt, duke pasqyruar kështu qenësinë e Islamit si nje fe e qartë, e sigurtë, krenare, paqësore dhe serioze. E gjitha e bardhë, ngjyrë kjo e lakmuar në traditen profetike. Kënaqësia me e madhe e imja vjen pikërisht nga fakti që si projekt arkitektonik ka ngjallur provokim dhe diskutim mbi çdokënd që e ka parë, përfshirë dhe vizitorët e shumtë që i qasen nga afër, mes tyre dhe shumë të huaj”, thotë arkitekti Martin Shameti.

Sipas tij, pikërisht fakti që objekti provokon fantazinë, kureshtjen dhe imagjinatën e njerëzve, tregon se duhen shtuar prurjet të tilla ku njerëzit të përfshihen nëpër biseda dhe debate arti, arkitekture dhe çështje urbane, gjë kjo me pakicë në jetën e shqiptarëve.

Dhe është fakti se gjatë tre viteve të ndërtimit, ajo ka funksionuar dhe si një objekt i atraksionit turistik të zonës. I ndodhur në një pellg me lëvizshmëri të madhe turistike, xhamia, ka fituar pra dhe statusin e një objekti që me pamjen e saj tërheq vizitorë të shumtë, të cilët ndalen dhe e fotografojnë atë.

Ndërkohë, ka dhe nga ata zëra të pavarur të cilët kanë parë pas stilit unik të xhamisë si “Varkën” e famshme të Nuhut, profetit që u ballafaqua me ndëshkimin hyjnor të një përmbytjeje kundrejt popullit të tij, të cilin e ftoi parreshtur në besim e i cili iu përgjigj me mohim e punë të liga. Nuhu, ose Noe në variantin latin, e ndërtoi anijen me urdhër hyjnor, pikërisht për ditën e paralajmëruar, e konsideruar dhe si i pari mjet lundrues i ndërtuar në gjithë historinë e njerëzimit. Dhe, siç shpëtoi Nuhu për besimin e tij, të tjerë që besuan si ai, e po ashtu disa çifte kafshësh që do shërbenin për riprodhim, vijimin e jetës në tokë, xhamia përçon mesazhin se çdokush që hyn në të si besimtar do jetë i shpëtuar. Por e gjitha kjo është një qasje e lirë urbane, gjithsesi tregues i tërheqjes magnetike që ka ky objekt kulti.

E veçanta gjatë hapjes së xhamisë ishte dhe prania e një prej këshilltarëve të kryeministrit Rama, Alket Hyseni, i cili në fjalën e tij përshëndetëse shprehu gadishmërinë e qeverisë për legalizimin e të gjitha objekteve të kultit. Por fjala tij, e cila herëpashere pati dhe nuancat e një ligjërimi klerikal veç frazave të zakonshme të një zyrtari qeveritar, përfundoi me një kumt të denjë për një klerik, hoxhë, imam apo hatib në rastin konkret, duke thënë: Allahu është më i madhi! /tesheshi.com/