Eksodi i të rinjve: Cila është fatura që duhet të paguajmë?

Më shumë sesa mungesa e punës, është mungesa e shpresës që i shtyn shumicën e të rinjve shqiptarë drejt emigrimit –por largimi vetëm në një drejtim ka për t’i kushtuar shtrenjtë vendit.

450
Ilustrim nga Gerd Altmann/ Pixabay.

Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria konsiderohet ende si një ndër vendet me flukset më të larta të emigrimit në raport me popullsinë rezidente. Rreth 1.64 milionë shtetas shqiptarë ose 36% e popullsisë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, kryesisht në SHBA, Kanada, Greqi, Itali, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar apo Zvicër. Shqipëria ka përjetuar një periudhë intensive emigrimi prej viteve ‘90 dhe që vazhdon edhe sot, ndonëse me ritme të tjera dhe jo me të njëjtin intensitet.

Rigjallërimi i valës së emigrimit shpjegohet me një sërë faktorësh socialo- ekonomikë, por edhe si pasojë e politikave joefikase të qeverive për të menaxhuar largimet masive.  Sipas INSTAT, rreth 330.000 shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve të BE-së në harkun kohor 2011-2017, ndërsa Shqipëria konsiderohet ende si një nga vendet kryesore të origjinës për migrantët e paligjshëm.

Shqipëria vazhdon të kryesojë gjithashtu listën e azilantëve, pavarësisht se konsiderohet një “vend i sigurt origjine” nga Bashkimi Europian. Sipas Eurostat, 178.000 shqiptarë kërkuan azil në BE në harkun kohor 2010-2018; një numër alarmant dhe i krahasueshëm me Sirinë në luftë. Në vitin 2020, Shqipëria mbajti sërish vendin e dytë për azilkërkuesit me 18 kërkesa për 100 mijë banorë. Pjesa dërrmuese e tyre janë të rinj nën moshën 34 vjeç.

Gjermania është absolutisht destinacioni më i dëshirueshëm për shqiptarët –vend që u bë tërheqës për shkak të avantazheve që tërheqin migrantë, të tilla si një sistem i organizuar akomodimi dhe ndihmë financiare bujare që ofron shteti, deri në përfundim të procesit të vlerësimit të kërkesës për azil. Në të njëjtën kohë, Gjermania ka ndjekur politikat e “dyerve të hapura” për të tërhequr popullsi në moshë pune, veçanërisht punëtorë të kualifikuar.

Statistikat theksojnë edhe një tjetër herë se vendi po boshatiset dhe të rinjtë janë nxitësit kryesorë të migracionit ndërkombëtar. Motivet kryesore të të rinjve për të migruar janë të shumta dhe shpesh janë kombinim i disa faktorëve si papunësia, arsimi i dobët, pagat e ulëta, varfëria apo mangësitë në mbrojtjen sociale.

Shkalla e papunësisë mes të rinjve shqiptarë është ende e lartë [28% në 2019] dhe shkalla e lartë e të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim [26%] përbën gjithashtu shqetësim.

Të rinjtë që jetojnë në zonat rurale dhe të thella janë të ekspozuar ndaj varfërisë kronike dhe rrezikut të lartë të përjashtimit social, mungesës së mundësive të punësimit dhe izolimit total.  Fshatra të tëra janë duke u  zhdukur nga harta e Shqipërisë, kjo edhe për shkak të lëvizjeve demografike, qofshin këto të brendshme apo të jashtme.

Më shumë sesa mungesa e punës, është mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë që shumica e të rinjve raportojnë si arsyen kryesore për largimin e tyre nga vendi. Por sa i kushton kjo Shqipërisë?

Në harkun kohor të tre dekadave të fundit, vendi ka përjetuar një tkurrje të madhe të popullsisë, kryesisht të brezit të ri. Rënia e demografike nga 3.1 milionë banorë në 2001 në 2.8 milionë në censusin e vitit 2011 është rezultat i kombinimit të proceseve demografike të uljes së lindshmërisë dhe emigracionit në shkallë të madhe. Rënia e popullsisë ka ndikimet e veta të mëdha për të ardhmen dhe reflektohet jo vetëm tek individi dhe familja, por edhe në nivel shoqërie në tërësi. Ajo që është më problematike është fenomeni i shpopullimit si pasojë e migrimit të të rinjve që sjell sfida të konsiderueshme sociale, ekonomike dhe demografike.

  • Largimi i njerëzve më produktivë dhe më të arsimuar nga vendi i origjinës mund të shkaktojë humbjen e aftësive dhe kapacitetit prodhues në nivel kombëtar dhe vendor dhe ndikon në strukturën demografike të popullsisë. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me ritmin më të madh të largimit të trurit në botë, ku një pjesë e konsiderueshme e të rinjve të mirë-arsimuar duan të largohen nga vendi pa pasur në plan të rikthehen. Shqipëria po përballet me largimin masiv të mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve të teknologjisë së informacionit etj., pjesa e kualifikuar dhe më vitale e vendit. Një gjë e tillë mund të sjellë efekte shkatërrimtare për shkak të humbjes së kapitalit njerëzor.
  • Largimi i të rinjve mund të godasë fort edhe ekonominë e vendit. Në planin afatgjatë parashikohet rënie e fuqisë punëtore për shkak të rënies së popullsisë në moshë pune. Parashikimet e popullsisë nga INSTAT evidentojnë se numri i personave në moshë ekonomikisht produktive pune 20-29 vjeç do të jetë rreth 33% më pak në vitin 2031. Plakja e fuqisë punëtore do të ketë implikime edhe për plotësimin e vendeve të punës që kanë nevojë për punëtorë të rinj në moshë.
  • Sistemi arsimor duhet të përgatitet për një rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve/ studentëve në të gjitha nivelet e arsimit dhe rrjedhimisht edhe në rënie të numrit të mësuesve, pedagogëve apo lektorëve.
  • Në të njëjtën kohë, edhe sistemi shëndetësor dhe ai i pensioneve duhet të përgatiten për të ofruar një numër më të madh shërbimesh ndaj të moshuarve. Emigracioni masiv dhe reduktimi i lindjeve ka rritur dukshëm moshën mesatare të popullsisë vendase, nga 27 në 1990 në 37,2 vjeç, duke ndikuar në rritjen e numrit të pensioneve. Kjo rrjedhimisht çon në përmbysjen e raportit kontribues- përfitues të skemës së pensioneve, çka do të thotë më shumë para nga buxheti i shtetit për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve. Në përgjithësi, kostot për të mbështetur një të moshuar janë më të mëdha se ato për mbështetjen e një fëmije.
  • Largimi i të rinjve nënkupton edhe rënie të konsumit në përgjithësi dhe të kërkesës agregate, gjë që do të ndikojë negativisht në ekonomi. Studimet kanë treguar se çdo person i aftë për punë që largohet nga Shqipëria i merr vendit rreth €14,900 nga Prodhimi i Brendshëm Bruto vjetor i mundshëm në të ardhmen. Shqipëria humbet rreth 559 milionë euro çdo vit për shkak të emigracionit.

Migrimi është një fenomen i pandalshëm global, pasi nevoja për të pasur një jetë më të mirë është përpjekje e vazhdueshme për shumë njerëz. Megjithatë, shifrat e mësipërme duhet të jenë një këmbanë alarmi për qeverinë –në mënyrë që të gjejë zgjidhje efikase për të trajtuar dhe zbutur koston e emigrimit të të rinjve dhe efektet e saj negative. Qeveria duhet të angazhohet në hartimin e politikave arsimore të orientuara drejt kërkesave të tregut të punës dhe në një plan afatgjatë, duhet të promovojë nxitjen e politikave për kthimin apo ‘qarkullimin e trurit’ nga vetë diaspora shqiptare.

*** Rreth autorit:

Armela Xhaho është studiuese pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Interesat e saj kërkimore përfshijnë migracionin, çështjet gjinore, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë. Aktualisht, Armela është kandidate për PhD në fushën e migracionit në Universitetin e Groningen, Hollandë.