Dita Botërore e Medias, Shqipëria mes vendeve me liri të pjesshme

636
Foto ilustruese. Burimi: Interneti

Tre maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e cila është shpallur e tillë që prej vitit 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e fundit të përvitshëm të organizatës “Reporterët pa kufij” sa i përket lirisë së shtypit, Shqipëria ka zbritur me 7 vende, duke u renditur e 82-ta nga 180 shtete të marra në konsideratë.

E përfshirë në këtë renditje që prej vitit 2013, asokohe në vendin e 102-të, vit pas viti renditja është përmirësuar deri vitin e kaluar kur mbërritëm të ngjiteshim në vendin e 75-të, për të rënë tashmë sërish në situatën e viteve 2015-2016.

“Sulmet ndaj medies, si nga qeveria, ashtu dhe nga krimi i organizuar, kanë arritur një nivel të paprecedentë në vitin 2018. Gazetarët kanë qenë subjekt i ofendimeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore me synim intimidimin dhe pengimin e tyre nga detyra e hetimit të korrupsionit.

Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i përshkruan ata si “kazanë” dhe prodhues të “fake news”-eve. Pikërisht për këtë arsye, kryeministri ka propozuar një ligj të ri, që synon rikthimin e kontrollit shtetëror ndaj medieve elektronike dhe, siç shprehen kritikët, edhe kufizimin e qasjes në lajme dhe informacione.

Një raport i përbashkët nga “RSF” dhe “BIRN” në mars të vitit 2018 nënvizoi një numër kërcënimesh ndaj medies në Shqipëri. Raporti gjeti se standardet rregullatore manipulohen në favor të interesave qeveritare. Kjo ka krijuar një situatë, ku vetcensura është përhapur ndjeshëm, e ku 80 për qind e gazetarëve nuk kanë më besim në të ardhmen profesionale të tyre”, thuhet në përshkrimin që “Reporterët pa kufij” i bëjnë situatës në Shqipëri.

Raporti vjen në Ditën Botërore të Shtypit, që shënohet çdo vit më 3 maj. Këtë vit vëmendja është te gazetarët në skaje të ndryshme të botës, të cilët po ndeshen me rrethana gjithnjë e më armiqësore. Raporti i fundit i organizatës “Reporterët pa kufij” thotë se liria e shtypit në botë ra gjatë në 12 muajt e fundit, pjesërisht si rezultat i politikave agresive ndaj gazetarëve.

Gazetarë nga e gjithë bota janë vënë në shënjestër nga qeveri autoritare, që përpiqen të forcojnë kontrollin mbi median. Organizata vëren se cikli i frikës po tkurr liritë e shtypit në botë, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Sulmet kibernetike, arrestimet dhe rrëmbimet janë disa nga taktikat që përdoren për të frikësuar punonjësit e shtypit. Ka pasur edhe vrasje në disa raste. Kina dhe Koreja e Veriut mbeten ndër abuzuesit më të rëndë, në bazë të raportit. Shtetet e Bashkuara renditen 3 vende më poshtë, duke reflektuar një klimë problematike, ku raportimi kritik ndaj zyrtarëve të lartë etiketohet si “lajme të rreme”.

Në Filipine, kërcënimet e përsëritura nga presidenti Rodrigo Duterte kundër medias kanë rezultuar në qëndrime keqdashëse ndaj gazetarëve në një vend që më parë konsiderohej një ndër mbrojtësit më të mëdhenj të lirisë së shtypit në Azi. Në prill, gjykata më e lartë e Mianmarit mbajti në fuqi vendimin për 7 vite burgim kundër dy gazetarëve të agjencisë së lajmeve “Reuters”, të cilët u arrestuan gjatë punës investigative mbi vrasjen e myslimanëve Rohingya në vitin 2017. Në vend të parë në raportin e lirisë së shtypit renditet Norvegjia, ndërkohë që ka rënë numri i vendeve që konsiderohen të sigurta për punën e gazetarëve.