Dibranët të “dorëzuar”, me mungesa në Vlorë

255

Korabi u ka dhënë dje fund përgatitjeve me një seancë stërvitore në ambientet e kompleksit “Internacional” në Pezë. Edhe pse ishte parashikuar që skuadra të stërvitej në Pyllin e Sodës në Vlorë gjatë pasdites, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nisja drejt qytetit bregdetar është bërë rreth orës 15:00.

Trajneri Haxhiu do të ketë për këtë ndeshje disa mungesa. Kështu, Vujadinoviç dhe Sheta janë jashtë skuadrës për shkak të një pezullimi, ndërsa Mziu, Zefi e Shabani janë të penalizuar për shkaqe kartonësh. Në dyshim për aktivizimin në Vlorë kanë qenë edhe portieri Laço, mesfushori Arifaj dhe sulmuesi Ardit Hoxhaj, pasi kishin shfaqur shqetësime, por dje gjendja e tyre ka rezultuar e mirë dhe janë gati për t’u aktivizuar në këtë përballje.

Korabi është skuadra e parë në këtë sezon futbollistik që është dorëzuar sa i takon objektivit mbijetesë, megjithatë po respekton kampionatin. Kjo ndeshje do të jetë e veçantë për trajnerin Haxhiu, pasi do të jetë kundër ekipit të qytetit të tij. Megjithatë, trajneri ka deklaruar se, në radhë të parë, do të shohë interesat e ekipit të tij, pa menduar për kundërshtarët, kushdo qofshin ata.

ABDULLA DUSHKU