Dibra në Maqedoninë e Veriut po zbrazet: 9 nga 17 fshatra, pa asnjë banor

683
Foto ilustrim nga një fshat në Dibër

Në të kaluarën, Dibra ishte e pasur me fshatra ku bujqësia dhe blegtoria lulëzonin, duke furnizuar gjithë komunën me prodhime. Fshatrat pranë kufirit me Shqipërinë ishin ndër më produktivët. Por sot, pothuaj gjysma e tyre nuk ekzistojnë më si vendbanime. Migrimi dhe emigrimi masiv, që ka nisur dekada më parë, ka lënë pas toka të braktisura dhe shtëpi bosh.

Migrimi nga fshatrat kufitare nisi para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por mori përmasa më të mëdha pas vitit 1945. Sipas dëshmive të banorëve, regjimi komunist jugosllav ushtronte presione dhe tortura të ashpra ndaj popullsisë shqiptare. Një pjesë e familjeve u internuan politikisht, ndërsa të tjerët, për arsye politike dhe ekonomike, u detyruan të largohen nga fshatra si Kunjara, Solokiqi, Bomova, Spasi, Shullani e Taraniku.

“Kufiri e bëri të vetën,” thotë Jakup Duka, me origjinë nga fshati Spas, ku pas Luftës së Dytë Botërore kishte mbi 50 shtëpi, ndërsa sot nuk jeton askush. Familja e tij u shpërngul në Dibër në vitin 1986, ndërsa pjesa tjetër e fisit u vendos në SHBA.

Një tjetër goditje për fshatrat kufitare ishte ndërtimi i hidrocentralit “Spile” dhe ujëmbledhësi i liqenit artificial të Dibrës në vitet ’60. Përveç zhvendosjes së banorëve, uji i liqenit depërtoi në ujërat nëntokësore pranë disa vendbanimeve, duke u cilësuar si rrezik për jetesën.

Familja Marku nga fshati Bomovë dhe familjet Koxha, Daci, Majtara, Lleshi e Sinani nga Spasi janë vetëm disa prej atyre që u shpërngulën përfundimisht, duke u vendosur në Dibër, Shkup apo jashtë vendit, kryesisht në SHBA dhe Evropë.

Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, konfirmon se nga 17 fshatrat e komunës, 9 janë të boshatisur. “Migrimi i popullsisë, si nga fshatrat ashtu edhe nga qyteti, kërkon më shumë projekte për punësimin e të rinjve. Komuna ka ndërmarrë disa nisma, por kjo mbetet një nga plagët më të mëdha të Dibrës,” thotë ai.

Kohët e fundit, disa investime në infrastrukturën rrugore kanë nxitur ish-banorë të kthehen për të punuar tokat e tyre, duke u marrë me bujqësi, bletari dhe ndërtimin e vilave për pushime. Megjithatë, pavarësisht kësaj lëvizjeje pozitive, fshatrat mbeten pa banorë të përhershëm.

Emigracioni dhe largimi i popullsisë janë kthyer në një plagë për vendet e ballkanit, duke prekur jo vetëm ekonominë, por edhe strukturën shoqërore e kulturore. Në kërkim të kushteve më të mira të jetesës dhe mundësive të punës, mijëra të rinj largohen çdo vit drejt vendeve perëndimore, duke lënë pas fshatra të boshatisur, qytete të plakura dhe një mungesë të ndjeshme të fuqisë punëtore