Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje projektligjin “Për statusin e minatorit”, të propozuar nga deputetja e opozitës Jorida Tabaku. Nisma u hodh poshtë me 74 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim, duke shënuar një tjetër dështim të përpjekjeve parlamentare për t’i dhënë kësaj kategorie një status të veçantë ligjor.
Projektligji synonte krijimin e një pakete të posaçme sociale dhe ekonomike për minatorët, si një nga profesionet më të rrezikshme në vend. Drafti parashikonte paga minimale jo më të ulëta se dyfishi i pagës minimale kombëtare, pensione suplementare, trajtim shëndetësor falas për sëmundjet profesionale dhe përfitime për familjarët në rast aksidenti fatal. Sipas relacionit shoqërues, nga ligji do të përfitonin rreth 13,300 persona, ndërsa kostoja financiare për buxhetin e shtetit vlerësohej rreth 1.2–1.27 miliardë lekë në vit.
Mazhoranca socialiste e kundërshtoi projektligjin duke argumentuar se ai mbivendoset me kuadrin ligjor ekzistues, krijon trajtim të diferencuar për një kategori të vetme profesionale dhe nuk shoqërohet me analizë të plotë financiare. Në diskutimet në komisionet e Kuvendit, relatori Klevis Jahaj dhe kryetarja e Komisionit për Burimet Natyrore, Anila Denaj, theksuan se trajtimi i minatorëve mund të bëhet përmes ligjit nr. 29/2019 dhe reformës së pensioneve të vitit 2014, pa krijuar një status të ri ligjor. Përfaqësues të qeverisë argumentuan gjithashtu se skema aktuale përputhet me standardet e Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Nga ana tjetër, opozita dhe deputetë të forcave të reja politike e cilësuan vendimmarrjen si mungesë vullneti politik. Tabaku deklaroi se barra financiare e statusit është e përballueshme dhe e krahasoi refuzimin me politikat fiskale favorizuese për sektorë të tjerë. “Qëndrueshmërinë fiskale nuk e prish statusi i minatorit, por favoret për jahte, hotele me pesë yje dhe kontrata koncesionare,” u shpreh ajo, duke shtuar se ishte e hapur për një ligj të përbashkët nëse do të kishte vullnet nga mazhoranca.
Premtimet e vjetra në Bulqizë
Rrëzimi i fundit i projektligjit rikthen në vëmendje premtimet e bëra ndër vite për statusin e minatorit, veçanërisht gjatë fushatave elektorale të viteve 2009 dhe 2013. Në atë kohë, Bulqiza ishte një nga ndalesat kryesore të turit elektoral të kryetarit të opozitës së atëhershme, Edi Rama. Në takime me minatorë dhe banorë, Rama e përshkroi punën në galeri si “dramë të përditshme familjare” dhe premtoi se pas zgjedhjeve do të firmosej ligji për statusin e minatorit, si një akt ndërgjegjeje dhe faljeje morale ndaj atyre që kishin humbur jetën në miniera.
Premtimet u përsëritën edhe në vitin 2013, kur Rama deklaroi se do të ishte “mbrojtësi më i flaktë” i çdo minatori që zbret qindra metra nën tokë për bukën e familjes dhe se ky profesion do të trajtohej me dinjitet nga shteti. Bulqiza u përdor si simbol i politikave të dështuara ndaj punëtorëve dhe si shembull i nevojës për ndryshim.
Sot, në vitin 2026, këto deklarata mbeten pjesë e arkivit mediatik të fushatave elektorale, ndërsa minatorët vijojnë të mos kenë një status të veçantë ligjor. Përkundrazi, shumica parlamentare socialiste ka rrëzuar disa herë nisma të ngjashme, duke përdorur të njëjtat argumente: kosto financiare dhe mbivendosje ligjore.
Çfarë parashikon dhe çfarë nuk mbulon ligji aktual
Aktualisht, minatorët trajtohen nga disa ligje specifike. Ligji nr. 150/2014 u njeh të drejtën e daljes në pension në moshën 55 vjeç, nëse kanë 30 vite sigurim, nga të cilat të paktën 12 vite e 6 muaj në nëntokë. Ligji nr. 29/2019 parashikon një shtesë mujore prej 1% për çdo vit pune në minierë mbi pensionin bazë, me kusht që punonjësi të ketë të paktën 12.5 vite punë në nëntokë.
Megjithatë, këto ligje trajtojnë kryesisht fundin e jetës së punës dhe jo pasojat shëndetësore gjatë saj. Ato nuk njohin një status profesional të veçantë për minatorët, nuk garantojnë trajtim të posaçëm shëndetësor për sëmundjet profesionale dhe nuk parashikojnë mbrojtje të veçantë për familjarët në rast aksidenti fatal. Nëse minatori nuk plotëson kushtet e këtyre ligjeve, ai trajtohet sipas skemës së përgjithshme të pensioneve, ku mosha e daljes në pension është 65 vjeç për burrat dhe 62 për gratë.
Realiteti në galeri dhe kriza e sektorit
Ndërkohë, realiteti social mbetet i pandryshuar. Në dekadat e fundit dhjetëra minatorë kanë humbur jetën në galeri, kryesisht në Bulqizë dhe Klos, ndërsa shumë aksidente kanë lënë pasoja të rënda shëndetësore dhe invaliditet të parakohshëm. Familjarët e viktimave përfitojnë dëmshpërblime të kufizuara, shpesh përmes sigurimeve private, ndërsa shumë minatorë pensionistë e shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave për ilaçe, si pasojë e sëmundjeve profesionale.
Sektori minerar po përballet gjithashtu me mungesë të theksuar të kapitalit njerëzor. Numri i studentëve në degët gjeologji–miniera ka rënë ndjeshëm, ndërsa kompanitë raportojnë vështirësi për të gjetur punëtorë të kualifikuar. Shumë subjekte janë detyruar të punësojnë punonjës pa përvojë ose në moshë të avancuar, duke rritur rrezikun për aksidente dhe duke ulur efikasitetin.
Strategjitë kombëtare pranojnë se mungojnë trajnimet periodike, pajisjet moderne mbrojtëse dhe sistemet dixhitale për monitorimin e gazrave dhe stabilitetit të galerive. Në këto kushte, siguria mbetet më shumë formale sesa funksionale, duke e bërë industrinë nxjerrëse një nga sektorët më të rrezikshëm në vend.
Statusi mes premtimeve dhe realitetit
Rrëzimi i fundit i projektligjit “Për statusin e minatorit” e lë këtë çështje sërish të hapur: një kuadri ligjor që njeh vetëm pensionin dhe një profesioni që konsumon trupin shumë përpara se të vijë pensioni. Debatet parlamentare tregojnë se politika pranon rrezikun e profesionit, por nuk është e gatshme të institucionalizojë mbrojtjen e tij përmes një statusi të veçantë.
Në kontrast me premtimet e bëra në Bulqizë për rikthimin e dinjitetit të minatorëve, vendimmarrja e fundit parlamentare e kthen statusin e minatorit në një premtim të parealizuar prej më shumë se 15 vitesh.









