“Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dënon djegien e makinës së gazetarit Sami Curri: Sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë

82
Foto ilustrim

Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL) ka reaguar ashpër pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë intimidimi ndaj fjalës së lirë dhe gazetarisë në terren.

Në një deklaratë publike, DPSHL thekson se sulmi ndaj një gazetari që denoncon problematikat e komunitetit nuk është më një çështje individuale, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë dhe të drejtën e publikut për informim. “Kur një gazetar që qëndron pranë qytetarëve dhe denoncon problematikat e komunitetit bëhet objekt presioni dhe sulmi, kjo është një kërcënim për të gjithë,” thuhet në reagim.

Lëvizja nënvizon rëndësinë e gazetarisë në terren, duke theksuar se ajo nuk zhvillohet vetëm në studiot televizive, por edhe pranë qytetarëve, siç ka vepruar prej vitesh gazetari Curri në Bulqizë. Sipas tyre, djegia e automjetit të tij përbën një mesazh të papranueshëm frikësimi që kërkon reagim të menjëhershëm nga shteti ligjor.
DPSHL i bëri thirrje organeve përgjegjëse që të zbardhin pa vonesë autorët e ngjarjes, garantojnë sigurinë e gazetarëve në terren dhe të japin një mesazh të qartë se dhuna ndaj medias nuk tolerohet.

Në përfundim, lëvizja shprehu solidaritet të plotë me gazetarin Sami Curri, duke kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet dhe transparencë të plotë.

“Diaspora për Shqipërinë e Lirë” është një nismë qytetare e krijuar në mërgatë, e angazhuar për përfshirjen e diasporës shqiptare në proceset politike dhe vendimmarrëse në vend. Synon të promovojë një model politikbërjeje më transparent dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe rolit të medias në një shoqëri demokratike.

Reagimi i DPSHL vjen në vijim të një sërë deklaratash nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar djegien e makinës së gazetarit si një alarm serioz për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në Shqipëri.