Del formulari A2, si të veproni dhe data e aplikimit për Dibrën

228

Ndërkohë që maturantët kandidatë për në universitete po bëjnë përllogaritjet e notave që kanë marrë për të kapur degën që duan, Agjencia Kombëtare e Provimeve iu kujton se përpara aplikimit duhet të kryejnë pagesën prej 2 mijë lekësh të rinj.

Në faqen zyrtare është publikuar mandat pagesa, pa të cilën asnjë maturant nuk mund të bëhet pjesë e garës për në fakultete.

Konkurrimi i vërtetë për në raundin e parë nis me aplikimin me formularin A2, pas renditjes së dhjetë degëve në publik e privat. Përbri shkrimit botohen datat e plotësimit të formularit sipas rretheve, të cilat nisin më 20 me maturantët kryeqytetas deri më 27 korrik. Nëse për një arsye apo një tjetër kandidatët nuk arrijnë ta bëjnë këtë në datën e caktuar, ashtu si çdo vit, vihen në dispozicion dy data shtesë, 28 dhe 29 korrik.

PARA APLIKIMIT

Çdo maturant që do të aplikojë për të ndjekur studimet e larta, përpara se të aplikojë në portal duhet të paguajnë një mandat prej 2 mijë lekësh të rinj. Kjo pagesë nuk kryhet nga ata që nuk kanë ndërmend të ndjekin studimet në një institucion të arsimit të lartë, publik ose jopublik. Për të kryer hapin e parë që mundëson hedhjen e notës mesatare në sistem duhen ndjekur disa etapa.

Fillimisht, në faqen e AKP-së shkarkohet dhe printohet fatura për arkëtim për t’u plotësuar me shumë përgjegjësi të dhënat në të. Kjo gjë, mund të bëhet edhe nga ndonjë i afërm, por duhet pasur kujdes që pas shkrimit të saktë të emrit, mbiemrit dhe datës së lindjes, tek ID-ja e detyruar duhet të shënohet numri personal i kartës dhe jo i maturës. Më pas, në një sportel të postës shqiptare ose bankë të nivelit të dytë bëhet derdhja e parave. Në këtë pikë duhet sërish vëmendje!

Arkëtarja që firmos dhe vulos faturën e arkëtimit duhet t’ju japë dy mandate pagese. Afati i pagesës është përpara datës së plotësimit të formularit ku renditen dhjetë degë në institucionet e arsimit të lartë publik e privat. Minimalisht një ditë përpara plotësimit të formularit A2, duhet të dorëzoni në shkollë faturën e arkëtimit të firmosur e vulosur nga arkëtarja e bankës ku keni kryer pagesë; dy mandate pagese gjithashtu të vulosura si dhe të nënshkruani për konfirmimin e pagesës së kryer.

Kujdes i veçantë u duhet kushtuar afateve, pasi mosdërgimi i faturës dhe mandat pagesës nuk mundëson hedhjen e mesatares në portalin matura.gov.al, çka ju penalizon në vijimin e procedurave për të fituar një degë në arsimin e lartë. Për aplikimin me formularin A2, e vetmja gjë që ju duhet është një lidhje interneti, pasi si çdo vit tjetër bëhet online në çdo mjedis. Për çdo problem, ju sugjerojmë të drejtoheni në shkollë apo në drejtorin arsimore. BURIMI: Gazeta Panorama