Çangu: Keqardhje për Korabin, dua të qëndroj në Superiore

335

Korabi tashmë i ka dhënë lamtumirën e fundit Superiores pas humbjes me Luftëtarin në “Elbasan Arena”. Skuadra dibrane që u rikthye në Superiore pas një gjysmë shekulli nuk mundi të përballonte nivelin e një kampionati gjigantësh, megjithatë ajo arriti që të linte gjurmë në përballjet me skuadra veterane të këtij niveli, si barazimi me Kukësin në Kukës, barazimi me Tiranën në Shkodër, fitorja me Teutën në Durrës dhe fitorja me Flamurtarin në Elbasan.

Skuadra ka dy ditë që ka nisur stërvitjet për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë që do ta zhvillojë në “Loro Boriçi”, ku shumë prej të rinjve po afirmohen tashmë me këtë skuadër. Një nga ata është dhe mesfushori 23-vjeçari, Dejvis Çangu që ka ardhur nga grupmoshat e Tiranës dhe pas një aktivizimi me të rriturit te Partizani B, në merkaton e janarit ai u bë pjesë për herë të parë në Superiore tek ekipi dibran.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai u shpreh: “Ndiej keqardhje për ekipin që rrëzohet një kategori më poshtë, pasi e kam për zemër duke qenë se këtu nisa rrugëtimin në Superiore. Gjithsesi unë do të përpiqem që t’i mundësoj vetës kalimin drejt ndonjë ekipi tjetër të Superiores në sezonin e ardhshëm”.

ABDULLA DUSHKU