Bie çmimi i naftës në tregjet botërore, Shqipëria ndër 35 vendet më të shtrenjtat

368

Çmimi i naftës ka rënë në nivelin më të ulët të pesë muajve për shkak të frikës së mbi ofertës dhe perspektivës për një ekonomi globale të dobësua. Nafta bruto sot tregtohej në nivelin 44.92 dollarë për fuçi, 60 cent më pak.

Në tregun vendas, nafta u rrit tre javë më parë, duke reflektuar shtrenjtimin në bursa ku Brent i kaloi 56 dollarë për fuçi, duke bërë që një reduktim me 5 lekë për litër të zgjaste vetëm me dy javë. Por, tashmë që nafta ra sërish, operatorët pohojnë se reagimi mund të jetë minimal në tregun vendas, për shkak të rivendosjes së së tarifave të rilicencimit prej 3 milionë lekë për stacion karburanti e gazi në Tiranë dhe 1 milion lekë në rrethe. Sipas tyre këto tarifa pritet të ndikojnë me 5-6 lekë për litër në çmimin e naftës dhe si rrjedhojë do të amortizojnë efektin e pritshëm në tregun e brendshëm.

Aktualisht një litër naftë në tregun vendas luhatet mes 171-174 lekë për litër. Kujtojmë se në periudhën 2013-2014 kur nafta në bursa arriti deri në 120 dollarë për fuçi, nafta tek ne tregtohej me maksimumi me 180-185 lekë për litër. Shtrenjtimi i dollarit dhe rritja e barrës së taksave ka bërë që nafta të mbetet në nivele të larta në tregun vendas, duke u renditur ndër 35 më të shtrenjtat në botë, sipas të dhënave krahasuese nga Global Price Petrol.