Bechtel kërkon në Londër nënkontraktorë për ndërtimin e HEC-it Skavica

589
Lumi Drin i Zi. Foto: A. Ashiku

Agjencia e Eksporteve Financiare në Mbretërinë e Bashkuar dhe kompania Bechtel do t’u prezantojnë furnitorëve të regjistruar në Britani, mundësitë për t’u përfshirë në projektin e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës në Shqipëri dhe projekte të tjera. Sipas Balkan Green Energy News, ngjarja do të mbahet në Londër në datat 20 dhe 21 tetor.

“Departamenti i Garancisë së Kredive të Eksportit në Mbretërinë e Bashkuar – UKEF – po merr pjesë në projektin e hidrocentralit të Skavicës në Shqipëri, i cili është një mundësi për furnitorët e regjistruar në Britani. Së bashku me Bechtel, me qendër në Reston, Virxhinia, agjencia po organizon një panair furnizues në Londër”, thuhet në raportin e BGEN.

Kompania amerikane “Bechtel” u përzgjodh nga Qeveria shqiptare për ndërtimin e kësaj vepre, që aktualisht thuhet se është në fazë projektimi dhe studimi. Investimi vlerësohet në afro 500 milionë dollarë, të siguruara përmes një kredie të butë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej vitesh banorët e fshatrave pranë pellgut të Drinit të Zi, kanë protestuar kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, që sipas tyre do të përmbys të gjithë fushën e Dibrës dhe detyrojë zhvendosjen e tyre.

Në njoftimin e Bechtel thuhet se aktiviteti që do të zhvillohet në Londër, ka për qëllim që furnizuesit mund të diskutojnë mundësitë e përfshirjes në projektin e HEC Skavica dhe projekte të tjera me ekipet e prokurimit të Bechtel.

Hidrocentrali i Skavicës është projektuar fillimisht në vitet 70’, si pjesë e Kaskadës së Drinit, por ndryshe nga HEC-t e tjera të kaskadës, ai nuk u ndërtua atëherë. Qeveritë i janë rikthyer disa herë planeve për ndërtimin e tij dhe disa projekte dhe studime janë arshivuar pas hasjes në vështirësi për sigurimin e financimeve.

Në vitin 2020 qeveria riprezantoi disa versione të mundshme për ndërtimin e një hidrocentrali në Skavicë. Sipas qeverisë hidrocentrali do të përmirësonte ndjeshëm prodhimin e energjisë në vend dhe do të ndihmonte në menaxhim më të mirë të kaskadës së Drinit. Shqipëria po ashtu gjeti mbështetje të Uashingtonit për ndërtimin e hidrocentralit.

Ndërkohë në korrik të këtij viti qeveria lidhi një kontratë me kompaninë amerikane Bechtel Enka, e cila do të bëjë projektimin dhe ndërtimin e HEC-it që do të prodhojë 210 Mw.

Bechtel tha se është i interesuar për marrëveshje me kompanitë aktive në inxhinierinë civile dhe strukturore dhe mekanike, pajisjet e ndërtimit dhe fushat elektrike në Mbretërinë e Bashkuar. Afati i fundit për aplikime për panairin e furnitorëve do të jetë më 14 tetor.