Basha: Rama ta harrojë një qeveri teknike kukull

297

Pas disa lajmeve të përhapura në media se Edi Rama po krijon skema politike për të zgjedhur një Kryeministër teknicien, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është kundërpërgjigjur duke thënë se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.

Gjatë bashkëbisedimit me personat me aftësi të kufizuar pasditen e sotme në Çadrën e Lirisë, Basha deklaroi qartë se qeveri teknike do të ketë vetëm me konsensusin e opozitës dhe të qytetarëve.

“Jemi këtu për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi vendosur të qëndrojmë deri në largimin e tij, deri në krijimin e një kabineti, jo me një Kryeministër teknik që vendos ai. Qeveri teknike kukull dhe Kryeministër kukull harroje se do të funksionojë. Qeveri teknike do të ketë vetëm kur të ketë vulën e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve”, theksoi Basha.

Kreu i demokratëve tha gjithashtu se Kryeministri Edi Rama e ka të qartë se do të humbasë zgjedhjet nëse zhvillohet një garë e drejtë dhe demokratike. Por, Basha u shpreh se Rama ka vendosur që t’i vjedhë zgjedhjet.

“Ai e di se në zgjedhje të lira dhe të ndershme, shqiptarët do ta ndëshkojnë me votë. Por në Shqipërinë e sunduar nga narkotrafikantë, në këtë Shqipëri Edi Rama ka një plan ogurzi, të mos lejojë shqiptarët të shprehen me votë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, por të vjedhë zgjedhjet”, tha kryetari i PD Lulzim Basha.