Basha: Nuk hyjmë në zgjedhje pa qeveri teknike

378

Pavarësisht thirrjeve të CDU-së të kancelares Angela Merkel dhe SHBA-ve për të marrë pjesë në zgjedhje, koalicioni opozitar siç duket nuk heq dorë nga kërkesa për krijimin e qeverisë teknike. Me anë të një deklarate për mediat, koalicioni bënë me dije se kanë marrë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ, deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.

NJOFTIMI I KOALICIONIT OPOZITAR
Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.
Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.
Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falenderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive, dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme.