Basha i jep ‘OSCAR’ qeverisë Rama: S’ke mbajtur asnjë premtim, por drogë, krim e korrupsion

225

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në mënyrë simbolike i ka dhënë çmimin e Oscar-it Qeverisë Rama për mashtrimet dhe premtimet e pambajtura me të cilat erdhi në pushtet.

Këtë simbolikë Basha e bëri kur në të njëjtën kohë në Durrës po mbahej Kongresi elektoral i Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij ditën e sotme nga çadra e opozitës, Basha përmendi të gjitha premtimet që bëri Rama në 2013-ën, të cilat sot nuk janë përmbushur.

Fjala e kryetarit të PD Lulzim Basha:

9 Maji është dita kur kupola e Republikës së Vjetër ka shpallur ceremoninë e çmimeve Oskar në Durrësin e Vangjush Dakos ku luhet teatri i shëmtuar i hipokrizisë dhe mashtrimit”

Republika e vjetër në grahmat e fundit po ju dhuron këtë shfaqje të shëmtuar të hipokrizisë të shqiptarëve. Ka zgjedhur datën 9 maj, ditën e Evropës si për të na kujtuar kontrastin e thellë, që qëndron mes atyre që erdhën në pushtet me emrin aleanca për Shqipërinë evropiane dhe u faktuan për 4 vite si aleanca e drogës dhe krimit.

Kush e merr Oscar-in për degjenerimin e sistemit arsimor në një rrjet motelesh për pushtetarët e degjeneruar. Kush e merr? Lindita Nikolla!

Kush ja dorëzoi territorin dhe kufijtë krimit të organizuar? Kush e meriton Oscarin për katandisjen e fshatit shqiptar për ditën më të zezë që ka njohur në këto 25 vite. Me bagëtitë e sëmura, me tregjet që nuk u garantuan kurrë, me kanalet vaditëse që nuk u ndërtuan kurrë. Pra sot është dita e çmimeve Oscar për bandën në pushtet, për kupolën politike të Republikës së Vjetër që në 4 vite mendoi vetëm për pushtetin e vet që nuk punoi asnjë orë të vetme për qytetarët shqiptarë.

Këtu ndodh një luftë e heshtur, lufta që krimi i organizuar, oligarkët barkëderrë i kanë shpallur popullit të tyre, duke shkatërruar ekonominë me taksa të larta, duke shkatërruar vendet e punës me arrogancë.

Projekti i tyre i fundit është asgjësimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në funksion të kësaj kanë shpallur zgjedhjet moniste sepse refuzojnë zgjidhjen që përcaktuan qytetarët më 18 qershor. Ai i trembet gjykimit popullor me votë sepse nuk ka asnjë përgjigje për pyetjet e një qytetari të zakonshëm. Ku i ke 300 vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku i ke subvencionet për fermerët? Ku i ke legalizimet falas?

Ka kaq shumë gënjeshtra. Nuk ka mbajtur asnjë premtim. Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim. Edi Rama nuk u përpoq kurrë të mbante asnjë premtim me të cilin erdhi në pushtet. Edi Rama me vullnet i braktisi premtimet e tij.