
Çdo fshat i qarkut Dibër është i bekuar me natyrë të mrekullueshme, një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive të reja për punësim.
Sot ju prezantojmë historinë e Alban Nezirit nga fshati Bruç i Matit. Nga fillimet modeste me vetëm një vaskë për mbarështimin e peshkut Troftë, Albani ka arritur të zgjerojë biznesin e tij, duke shtuar edhe dy vaska të reja.
Rrugëtimi i tij nuk mbaron këtu. Albani ka hapur një restorant të vogël buzë lumit të Urakës, pranë kanionit mahnitës me të njëjtin emër. Me ushqime tradicionale dhe mikpritje të ngrohtë, restoranti ka krijuar mundësi punësimi për të dhe familjen e tij.
Zona e Bruçit ka një potencial të madh për akuakulturë, falë lumenjve të Urakës dhe Shutrresë, që për vite me radhë janë shfrytëzuar për këtë veprimtari. Megjithatë, infrastruktura rrugore mbetet një sfidë kryesore për Albanin dhe banorët e zonës, duke vështirësuar ardhjen e turistëve dhe zhvillimin e plotë të potencialit turistik.
Fshati Bruç është gjithashtu i pasur me monumente natyrore që mund të kthehen në burime të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit dhe komunitetit në të ardhmen.
Kjo video u krijua si pjesë e programit “Rrugë Alternative”, mbështetur nga British Council Albania dhe financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.








