
Një tjetër dëgjesë publike e thirrur nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës, këtë herë në fshatin Lejçan të Njësisë Administrative Ostren (Gollobordë), është shoqëruar me kundërshti të forta nga banorët e zonës ndaj planit për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore përmes ankandit.
Në takim morën pjesë banorë nga disa fshatra të Ostrenit, të cilët në mënyrë të hapur shprehën refuzimin për çdo formë të dhënies së tokave. Sipas tyre, procesi nuk lidhet me zhvillimin e bujqësisë apo blegtorisë, ashtu siç thuhet publikisht, por me synimin për t’i shfrytëzuar këto sipërfaqe për ndërtimin e paneleve fotovoltaike.
Banorët theksuan se tokat në fjalë përdoren prej dekadash si kullota të përbashkëta dhe janë të ndara në mënyrë të rregullt mes familjeve dhe fshatrave, pa konflikte. Sipas tyre, kjo formë organizimi, e bazuar në traditën zakonore, ka funksionuar me shekuj dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje të tilla.
Ata kundërshtuan edhe argumentin e bashkisë për zhvillim ekonomik, duke u shprehur se nëse dikush ka nevojë për investime bujqësore apo blegtorale, mund t’i realizojë në pronën e vet pa qenë e nevojshme të jepen me ankand sipërfaqe të mëdha toke. Kjo pasi për blektori tokat e përbashkëta shfrytëzohen lirisht. Për shumë prej tyre, dëgjesat publike po përdoren thjesht si një formalitet për të legjitimuar vendime apo plane të marra më parë.
Një shqetësim i ngritur nga banorët pjesëmarrës ishte se, nëse tokat do të përdoren për panele diellore, ato do të rrethohen dhe do të dalin jashtë funksionit për komunitetin, duke goditur drejtpërdrejt jetesën e banorëve që mbështeten kryesisht te bujqësia, blegtoria dhe punët sezonale.
Edhe në dëgjesën e zhvilluar në Ostren, ashtu si në Gjoricë, nga Këshilli Bashkiak ishte i pranishëm vetëm një këshilltar, ai nga radhët e opozitës, Veap Halili, një mangësi institucionale në këto takime me komunitetin.
Këshilli Bashkiak, si organi më i lartë vendimmarrës në nivel vendor, ka një rol thelbësor në shqyrtimin, miratimin dhe mbikëqyrjen e çështjeve që lidhen me administrimin e pasurive publike, përfshirë dhënien në përdorim të tokave pyjore dhe kullosore. Në këtë kuadër, prania dhe angazhimi i anëtarëve të tij në dëgjesat publike është thelbësor për të garantuar transparencën, përfaqësimin e interesit të qytetarëve dhe ligjshmërinë e procesit. Këshilli Bashkiak Bulqizë përbëhet nga 21 anëtarë në total.
Banorët u shprehën gjithashtu se zona e Gollobordës mbetet ndër më të diskriminuarat për investime, ndërsa ndërhyrje të tilla i konsideruan si përpjekje për t’u marrë tokat, pa sjellë përfitime për komunitetin.
Skepticizëm pati edhe për përfitimet që bashkia pretendon të marrë nga qiratë e këtyre sipërfaqeve. Disa banorë sollën si shembull ndërtimin e hidrocentraleve në zonë, ku sipas tyre u shfrytëzuan burimet ujore pa sjellë përfitime për komunitetin, por duke lënë pasoja negative si mungesa e ujit dhe shkatërrim i natyrës.
Në përfundim, banorët e pranishëm e cilësuan procesin si jo serioz, duke kritikuar mungesën e informacionit konkret dhe transparencës, ndërsa paralajmëruan se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për dhënien e tokave tek palë të treta që prekin drejtpërdrejt jetesën dhe të ardhmen e tyre.
Zhvillimet në Ostren vijnë vetëm një ditë pas tensioneve të ngjashme në Gjoricë, duke treguar një përplasje të hapur mes banorëve dhe Bashkisë Bulqizë për mënyrën e përdorimit të tokave të përbashkëta. Në të dyja zonat, komunitetet po shprehin të njëjtat shqetësime: mungesë transparence, frikë se sipërfaqe të mëdha do të kalojnë për projekte fotovoltaike dhe rrezik për humbjen e kullotave që mbajnë gjallë ekonominë familjare.









