3 bashki në qarkun Dibër me vështirësi financiare

713
Bashkia Dibër

Të dhënat Ministrisë së Financave flasin për rënie në të ardhurat e pushtetit vendor me 4.9% gjatë vitit 2020, kjo si pasojë e tërmetit, pandemisë dhe borxheve të vjetra të trashëguara, por edhe borxhe të reja të krijuara nga keq menaxhimi. Në këtë situatë të vështirë janë 16 bashki në vend që nuk kanë më para dhe për pasojë u janë shtuar borxhet, ndër këta 3 bashki në qarkun Dibër: Klos, Bulqizë dhe Dibër.

Në një raport të shoqatës së bashkive, thuhet se janë 22 prej tyre në situatë të vështirë financiare, por më kritike është situata në bashkinë e Kavajës e cila rrezikon falimentimin. Kjo e fundit 85.2% të shpenzimeve të miratuara i ka borxhe. Në vitin 2020 borxhet e Kavajës arrinin në 727.8 mln, duke përbërë më shumë se 10% të borxhit total vendor.

Nga ana tjetër me probleme dhe vështirësi financiare janë listuar bashkitë: Peqin, Lezhë, Klos, Selenicë, Mirditë, Kamëz, Cërrik, Librazhd, Roskovec, Libohovë, Bulqizë, Tropojë, Pogradec, Tepelenë, Finiq, Dibër, Rrogozhinë, Kukës, Poliçan, Konispol dhe Ura Vajgurore, ndërsa pjesa tjetër janë pa probleme financiare.

Borxhi më i lartë është akumuluar nga 3 bashki: Tiranë, Kavajë dhe Vorë.

Detyrimet më të madha pushteti vendor i ka akumuluar për shkak të investimeve, pasi 53.4% e borxhit është për këtë kategori, ndjekur nga vendimet gjyqësore me 11.5% dhe shërbimet me 10%.

Ligjërisht, këto borxhe duhet të shlyhen nga vetë bashkitë. Por këto të fundit i kanë të kufizuara mundësitë financiare, në kushtet kur e konsiderojnë të pamjaftueshme transfertën e pakushtëzuar që marrin nga buxheti i shtetit dhe kanë ende probleme me mbledhjen e taksave e tatimeve dhe realizimin e të ardhurave vendore. Një problem të tillë e ka rënduar edhe pandemia Covid-19.

Rënia e të ardhurave për disa bashki të prekura nga tërmeti, mospërfundimi i kadastrës fiskale. Borxhet e larta që kanë bashkitë më të mëdha të vendit, niveli i ulët i transfertës të pakushtëzuar, janë ndër shqetësimit kryesore që ngrihen për pushtetin vendor në raportin e 2020-s nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Vitin e kaluar, sipas raportit 30 nga 61 bashki të Shqipërisë, kanë arritur që të kenë një performancë pozitive të të ardhurave, por që nuk kanë mundur të neutralizojnë rënien e të ardhurave nga burimet e veta. Në vitin 2020, sipas Shoqatës të Bashkive, të ardhurat nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) për të gjitha bashkitë e vendit regjistruan një vlerë prej rreth 24.2 miliardë lekë, me një zvogëlim prej rreth 5.3% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliardë lekë më pak nga niveli i regjistruar në vitin e mëparshëm.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë rekomandon që qeveria të përmbyllë kadastrën fiskale prej mungesës së të cilës bashkitë s’po realizojnë të ardhura. Niveli i rentës në favor të bashkive duhet të rritet nga 5% që është aktualisht në të paktën 25-35% dhe ideale do ishte ndarja 50% me 50%. Sipas kategorive përbërëse, performanca negative e të ardhurave nga burime të veta është përcaktuar kryesisht nga kontributi i të ardhurave nga taksat (-5%) dhe tarifat (-6.6%) vendore në këtë periudhë.

“Efektet e tërmetit dhe pandemisë përpos vështirësive institucionale ku u ndodhën bashkitë u ndjenë në tërë arkitekturën institucionale të vendit. Ato sollën vështirësi të mëdha edhe për taksapaguesit në nivel vendor. Dy grupet kryesore takspaguese: biznesi dhe qytetarët u ndjenë në pozita të vështira lidhur me fuqinë paguese, krahasuar me vullnetin për të paguar. Kjo bëri që bashkitë të ndesheshin me probleme financiare nga mungesa e të ardhurave të planifikuara nga disa burime, sikundër mbanin mbi supe detyrime të prapambetura dhe borxhe të reja të krijuara gjatë vitit 2020.” thuhet në raportin e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Detyrimet e prapambetura

Detyrimet e prapambetura të Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV) referuar të dhënave të Ministrisë të Financave arrin 6.930 miliardë lekë, duke shënuar njëkohësisht një ulje të konsiderueshme prej 1.239 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar.

Shoqata e Bashkive thekson se borxhi në total i bashkive për vitin 2020 ka një shpërndarje jo propocionale. “Borxhi më i lartë është akumuluar nga 3 bashki, Tirana, (761.8 mln) Kavaja (727.8 mln) dhe Vora (702.6 mln) ku secila prej tyre mban më shumë se 10% të borxhit total vendor. Ky grup pasohet nga tre bashki të tjera, Pogradeci (338.7 mln), Lezha (308.4 mln) dhe Roskoveci (302.2 mln), të cilat kanë secila afro 5% të borxhit total vendor.” thuhet në raport.