Komiteti i Traktatit të Bernës vendos të monitorojë projektin e hidrocentralit të Skavicës

219
Gjatë një proteste në Dibër kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Foto: Sami Curri

Komiteti i Traktatit të Bernës vendosi të monitorojë projektin e hidrocentralit të Skavicës, kjo pas ankesave të organizatave mjedisore për shkelje të mundshme të konventës për mbrojtjen e faunës dhe habitatit të egër.

Ankesat e paraqitura në lidhje me projektin e hidrocentralit të Skavicës kanë për qëllim të përbashkët mbrojtjen e habitatit natyror dhe biodiversitetit të zonës.

Konventa e Bernës, në mbledhjen e saj të prillit 2024, ka vendosur të monitorojë projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës për të mbrojtur biodiversitetin dhe habitatet e rëndësishme. Disa çështje kyçe përfshijnë prekjen e zonave të Rrjetit Emerald dhe specieve të mbrojtura, rrezikun për rrëqebullin e Ballkanit, si dhe impaktin e mundshëm në liqenet e rëndësishme të Ballkanit Perëndimor. Përpilimi i vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social për projektin është nën vëzhgim, së bashku me mbrojtjen e kafshëve të mëdhaja mishngrënëse, duke theksuar nevojën për të mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin nga ndërhyrje të tilla në mjedis.

“Ne duhet të largohemi nga nocioni i rremë se hidroenergjia është energji “e rinovueshme” duke qenë se shkatërron përgjithmonë ekosistemet e ujërave të ëmbla dhe sjell dëme të konsiderueshme mjedisore për të gjithë jetën, duke përfshirë njerëzit”, tha Grant Wilson, Drejtor Ekzekutiv, Earth Law Center. “Ne jemi të kënaqur që Byroja e ka marrë seriozisht ankesën tonë dhe ne veçanërisht përshëndesim mbështetjen e tyre për parimin e parandalimit në përditësimin e tyre të fundit.” tha më tej Wilson.

Shoqëria civile dhe gjashtë organizata mjedisore e kanë përshëndetur këtë angazhim dhe presin që qeveria shqiptare të përgjigjet në mënyrë efektive për të adresuar shqetësimet e ngritura nga Konventa e Bernës.

“Nëse nuk ndërhyjmë tani për të mbrojtur natyrën, ne do të humbim thellësinë e pasurisë sonë të përbashkët.” – Zoe Lujic, Drejtore Ekzekutive e Earth Thrive.

Grupet mjedisore e vlerësojnë si një përpjekje të rëndësishme për të mbrojtur pasuritë natyrore. Ata kanë bërë thirrje për angazhim të plotë dhe transparencë në procesin e monitorimit për të siguruar që të gjitha shqetësimet e përbashkëta të trajtohen me kujdes dhe që të gjithë ndërhyrjet të jenë në përputhje me ligjet dhe standardet mjedisore.

“Shpresojmë që kjo të jetë fillimi i një angazhimi të qëndrueshëm për të ruajtur pasurinë tonë natyrore për brezat e ardhshëm.” – Ferzileta Gjika, Themeluese e lëvizjes “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”.

Me këtë vendim, shqetësimi për impaktin e projekteve të mëdha në natyrë po bëhen gjithnjë e më serioz. Dy vite më parë Komiteti i Konventës së Bernës i kërkoi qeverisë shqiptare ndalimin e punimeve për aeroportin e Vlorës, por që nuk u mor në konsideratë.

HEC-i i Skavicës është një projekt që ka nisur fillimisht në vitet 1970 si pjesë e kaskadës së Drinit, për plotësimin e nevojave të vendit me energji elektrike dhe si një rezervë ujore për pjesën tjetër të kaskadës

Qeveria shqiptare hodhi hapin e parë për vënien në lëvizje të projekti në vitin 2021 me nënshkrimin e një marrëveshje me kompaninë Bechtel, e cila sipas kontratës po kryen studim teknik të zonës, fizibiliteti dhe po ashtu edhe vlerësim të ndikimit në mjedis.

Kosto të projektit janë ende të paqarta por shifrat e përmendura publikisht në varësi të digës dhe madhësisë së hidrocentralit variojnë nga 250 milion euro deri në 500 milion euro.

Projekti ka hasur në kundërshtime të forta të organizatave të mjedisit që e shohin atë si rrezik për biodiveristetin në zonë.