Yildirim Group planifikon të përfundojë blerjen e Albchrome në janar

796
Foto ilustruese

Konglomerati turk Yildirim, planifikon të përfundojë blerjen e AlbChrome deri në fund të janarit, tha presidenti dhe shefi ekzekutiv, Robert Yildirim, për MetalBulletin.com, një botim i tregtisë ndërkombëtare.

Ai tha se çmimi përfundimtar i shitjes do të përcaktohet bazuar në inventarët ekzistues në Albchrome, i cili është prodhuesi më i madh i mineralit të kromit dhe ferrokromit në Shqipëri në pronësi të Balkan Finance Investment Group (Balfin Group).

“Ne do të përfundojmë blerjen muajin e ardhshëm. Ne shpresojmë se do të jetë nga mesi i janarit ose deri në fund të muajit,” tha Yildirim.

Albchrome Holding zotëron pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës me koncesion deri në vitin 2040. Aksionet e kompanisë kanë ndërruar disa duar. Në vitin 2001 ishte kompania italiane “Darfo” që kishte fituar të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferro-kromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferro-kromit në Elbasan.

Në vitin 2007-të Albanian Chrome në atë kohë pjesë e grupit austriak “Deco Metal” hyri në tregun shqiptar, pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Këta të fundit u larguan në vitin 2013-të, pas një sërë protestash nga sindikatat e kohës për pagat dhe kushtet e punës.  Në janar të vitit 2013-të Balfin sh.p.k bleu 100% të aksioneve. Në korrik të vitit 2016-të, Kuvendi zgjati edhe me 10 vjet të tjera afatin e koncesionit të minierës së kromit në Bulqizë, për kompaninë private ACR Holding si pjesë e Balfin Group.

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të hënën se ishte vënë në lëvizje nga Balkan Finance Investment Group, Balfin, që kërkonte autorizim për transferimin e pronësisë së kompanisë Albchrome Holding në zotërim të tij, te shoqëria turke Yildirim International Mining Investments B.V.