Vizita e Ballukut në Bulqizë, anulohet mbledhja e Këshillit Bashkiak

802
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një vizite në Shupenzë.

Parimet demokratike në vetvete janë parime të jetës politike dhe shtetërore, janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet dhe zhvillohet një shoqëri dhe shtet. Ndarja e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, nuk përbën vetëm ndarjen si të tillë, por nënkupton ndarjen e përgjegjësisë. Kjo vlerë e ndarjes është një nga kufizimet e arsyeshme të duarve të pushtetit për të mos i poseduar të gjitha në duar të tij, por për të shpërndarë pushtetin.

Sot në mbledhjen e fundit për vitin 2022, Këshilli Bashkiak i Bulqizës do të duhej të miratonte buxhetin për vitin 2023. Logjikisht, kjo do të kërkonte diskutime të gjata, të shikohej me kujdes çdo zë financiar dhe çdo investim i planifikuar. Por kjo është e tepërt të kërkohet në Bulqizë dhe të kuptohet ndarja e pushteteve.

Mbledhja e planifikuar për këtë të premte në orën 13:00 u anulua, me arsyen se në Bulqizë do të ishte për vizitë Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe e deleguara politike e Partisë Socialiste në qarkun Dibër, Belinda Balluku.

Këtë sqarim kishte dhënë sekretari i Këshillit Bashkiak Bulqizë, Fitim Balla. “Përshëndetje të nderuar këshilltarë. Mbledhja e Këshillit Bashkiak e planifikuar për nesër anulohet për arsyen e ardhjes të zv. Kryeministres, znj. Balluku e cila do të jetë nesër në Bulqizë. Mbledhja do të zhvillohet ditën e martë në orën 13:00”, thuhet në mesazhin e dërguar. E pa kuptueshme të anulohet një mbledhje e Këshillit Bashkiak me arsyen se vjen për vizitë një përfaqësues i qeverisë.

Referuar të dhënave për buxhetin e vitit 2023 të Bashkisë Bulqizë, planifikohet të jetë 763, 930, 000 lekë, ose afro 6.7 milionë euro. Në ditët në vijim Bulqizaime.al do të zbardh të gjitha zërat financiar të buxhetit dhe investimet e planifikuara.