Vijojnë kërkimet për Jurgen Karaj, trupi ende i pazbuluar në lumin Mat

697
Ekipet e forcave tokësore të Ministrisë së Mbrojtjes në terren, përgjatë lumit Mat, duke kryer kontroll të zonës.

Edhe sot, 20 janar, kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Jurgen Karaj në lumin Mat vazhdojnë pa asnjë rezultat. Pas aksidentit tragjik të ndodhur më 10 janar në fshatin Dars, ku automjeti tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga dhe përfundoi në ujërat e përroit, Karaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit dhe më pas ka përfunduar në lumin Mat.

Automjeti drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, banues në Fullqet, i cili arriti të dalë i gjallë nga uji, ndërsa Jurgeni nuk u gjet. Policia ka konfirmuar se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit dhe u arrestua disa orë më vonë për largim nga vendi i ngjarjes dhe mosdhënie ndihme ndaj pasagjerit.

Pak ditë më parë, babai dhe vëllai i Jurgen Karajt i janë drejtuar mediave me një apel publik për intensifikimin e kërkimeve. Ata kërkuan angazhim maksimal nga të gjitha institucionet shtetërore dhe forcave të angazhuara, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së trupit të të riut sa më shpejt për ti dhënë qetësi familjes.

Që prej aksidentit, operacioni i kërkimit është zhvilluar në të dyja anët e shtratit të lumit dhe është shtrirë në një gjatësi mbi 25 kilometra, deri në liqenin e Ulzës. Në operacion janë përfshirë polumbarë të RENEA-s, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkive Klos dhe Mat, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe dhjetëra familjarë dhe vullnetarë që ndihmojnë në terren.