Vendimi për KZAZ-në, opozita e bashkuar në Bulqizë akuzon Damzin: Ka kaluar me PS-në

1182
Melaim Damzi dhe Lefter Alla

Me 14 qershor, një grup bashkishë të drejtuara nga opozita e bashkuar, do ti kërkonte Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në respektim të dekretit të Presidentit të Republikës për anulimin e 30 qershorit si data e mbajtjes së zgjedhjeve, të largonin materialet zgjedhore nga KZAZ-të. Bulqiza ime kontaktoi me telefon edhe kreun e Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi për të marrë një qëndrim nga ana e tij, nëse do të ndiqej shembulli i bashkive të tjera që kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ-ve. Damzi do të deklaronte se edhe Bashkia Bulqizë do të respektojë dekretin e Presidentit Meta, që anulon 30 qershorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 2019-të.

“Bashkia Bulqizë do të marrë të njëjtin vendim ashtu si edhe bashkitë e tjera. Është një dekret nga ana e Presidentit të Republikës dhe që do të respektohet.” u shpreh Damzi.

Damzi është zgjedhur si kryetar i Bashkisë Bulqizë në vitin 2015-të, në koalicion me Partinë Socialiste, si propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por edhe pse kanë kaluar disa ditë nga kjo deklaratë, burime të Bulqiza ime në Bashkinë Bulqizë, bëjnë me dije se nuk është marrë asnjë hap ligjor për të kërkuar lirimin e ambienteve të KZAZ-së, që është vendosur në Qendrën e Kulturës në Bulqizë.

Bulqiza ime bëri përpjekje për të kontaktuar edhe me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, për ta pyetur për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij lajmi, ky i fundit nuk u përgjigj.

Bulqiza ime kontaktoi në telefon me kryetarin e Partisë Demokratike dega Bulqizë, Defrim Fiku dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dega Bulqizë, Blendi Gurra për ti pyetur për vendimin e kreut të Bashkisë Bulqizë, për të mos kërkuar largimin e KZAZ-së, gjithashtu edhe hapat që do të ndërmerren nga ana e opozitës.

Për Fikun, PD Bulqizë ka pritur që kryetari i Bashkisë Bulqizë ti bashkohet grupit të bashkive të tjera opozitare, për të respektuar dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve në 30 qershor. “Kjo kërkon që kryetari i Bashkisë Bulqizë të njoftojë strukturat e Policisë së Shtetit dhe KQZ-në për lirimin e ambienteve ku është e vendosur KZAZ-ja. Deri më sot, kryetari Damzi nuk e ka kryer një veprim të tillë. Pra një kërkesë zyrtare për lirimin e ambienteve që duhej ta kishte bërë pranë strukturave përkatëse. Prandaj ne do të ndjekim hapat në ditët në vijim, si opozitë e bashkuar, për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor.” U shpreh Fiku për Bulqiza ime.

Në të njëjtën linjë është edhe drejtuesi i LSI dega Bulqizë, Blendi Gurra, duke e akuzuar Damzin se një veprim i tillë, tregon përfundimisht se ai ka kaluar tek Partia Socialiste.

“Asolutisht që rasti i Bashkisë Bulqizë ka bërë ndryshim nga të gjitha bashkitë opozitare në të gjithë Shqipërinë, të cilat kanë kërkuar lirimin e KZAZ-ve. Ne jemi në dijeni vetëm për një citim që ka dhënë për Bulqiza ime, verbalisht që i bashkohet një lëvizje të tillë të bashkive opozitare për të kërkuar largimin e materialeve zgjedhore nga KZAZ-të, kjo në respekt të dekretit të Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por aktualisht që flasim, nuk ka asnjë shkresë zyrtare që të kërkohet një gjë e tillë nga Bashkia Bulqizë. Damzi ka kaluar prej kohësh në krahun e Partisë Socialiste dhe një veprim i tillë e dëshmon më së miri. Por gjithashtu edhe për faktin që Lefter Alla, kandidati i PS për Bashkinë Bulqizë është nipi i tij.” Deklaroi Gurra për Bulqiza ime.

Lefter Alla, kandidati i PS për Bashkinë Bulqizë është nipi i kryetarit aktual të bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi.

Ditën e sotme, në Mat dhe Klos, protestuesit që kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve vendore në 30 qershor, kanë arritur të hynë në ambientet e KZAZ-ve numër 16 dhe 17 dhe të nxjerrin jashtë me forcë materialet zgjedhore, duke i djegur.

/bulqizaime.al/