Vdekja e minatorit, policia arreston drejtuesin teknik dhe procedon penalisht teknikun e kompanisë

2112
Zona e parë krom-mbajtëse në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Policia e Dibrës njoftoi të hënën se kishte arrestuar drejtuesin teknik dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë teknikun e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k” në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti në të cilin mbeti i vdekur një punëtor.

Policia njoftoi se drejtuesi teknik dhe tekniku i minierës kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të frontit të punës dhe kanë neglizhuar detyrën. Kjo sipas policisë ka sjell shembje të një pjesë minerali, e cila ka lënë të vdekur 60 vjeçarin, Muharrem Plaku.

“Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi i shtetasit V. L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik) si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 54 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Shtetasit e lartëpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60 vjeçari (punëtor në minierë).” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Plaku, 60 vjeç, i cili punonte si teknik në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”, mbeti i bllokuar pas shembjes së një masivi gurësh mesditën e të mërkurës më 15 shtator. Dhjetra kolegë dhe punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, hoqën tonelata me gurë deri të dielën në mesnatë, kur Plaku u gjet i pajetë në galeri.

Kjo është hera e parë që në galeritë e Bulqizës, procesi për nxjerrjen e minatorit që humbi jetën, zgjat kaq gjatë në kohë.

Miniera e Bulqizës mbetet një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri. Plaku është viktima e tretë në galeritë e kromit që nga janari i këtij viti. Dhjetëra të tjerë janë plagosur në galeri që nga fillimi i vitit. Ndërkohë vitin që shkoi 5 minatorë humbën jetën në 28 aksidente.