Deputetët e Partisë Demokratike në Qarkun Dibër, Denisa Vata dhe Xhelal Mziu, kanë reaguar pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri, duke e cilësuar ngjarjen si një sinjal të fortë alarmi për gjendjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në vend.
Deputetja Vata shprehu solidaritet të plotë me gazetarin, duke theksuar se tentativa për ta frikësuar atë përmes një akti të tillë është e papranueshme. “Ata që mendojnë se e vërteta digjet bashkë me një makinë, gabojnë rëndë,” u shpreh ajo, duke e cilësuar djegien e qëllimshme të automjetit si një ngjarje tronditëse.
Sipas saj, fakti që një gazetar i cili prej vitesh denoncon paligjshmëri, korrupsion dhe abuzime në Qarkun Dibër bëhet objekt i një sulmi të tillë, përbën një mesazh frikësimi jo vetëm për median, por për çdo qytetar që guxon të flasë. Vata theksoi se konteksti në të cilin ka ndodhur ngjarja, në një zonë ku raportohen prej kohësh interesa të mëdha ekonomike dhe abuzime me pasuritë publike, e bën situatën edhe më alarmante.
Ajo kërkoi zbardhje të plotë, të shpejtë dhe pa kompromis të ngjarjes, duke paralajmëruar se çdo vonesë apo heshtje institucionale do të interpretohet si tolerim ndaj intimidimit të medias. “Kjo është një vijë e kuqe që nuk mund të kalohet,” theksoi deputetja.
Në një reagim të veçantë, deputeti Mziu e cilësoi ngjarjen jo thjesht si një akt kriminal, por si një sinjal të qartë presioni ndaj medias. Ai theksoi se djegia e makinës së gazetarit në Bulqizë ngre dyshime serioze për një klimë frikësimi ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.
“Kur goditet një gazetar, goditet e drejta e qytetarëve për informim,” u shpreh Mziu, duke e konsideruar zhvillimin thellësisht shqetësues. Sipas tij, nëse pas ngjarjes fshihet një mesazh për të heshtur zërat kritikë, atëherë bëhet fjalë për një problem të thellë që lidhet me mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe mbrojtjen e fjalës së lirë në vend.
Mziu i bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të reagojnë menjëherë dhe me transparencë të plotë, duke theksuar se zbardhja e kësaj ngjarjeje është një provë për aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë dhe liritë themelore.
“Çdo vonesë apo mungesë rezultati do të rrisë mosbesimin dhe do të përforcojë perceptimin se gazetarët mbeten të pambrojtur përballë presioneve,” shtoi ai, duke nënvizuar se liria e medias mbetet themel i demokracisë dhe nuk mund të vihet në diskutim.
Ngjarja e ndodhur në Bulqizë, e dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme ndaj automjetit të gazetarit Sami Curri, ka shkaktuar reagime të shumta nga politika dhe organizatat e medias, duke u konsideruar si një rast që kërkon reagim të menjëhershëm institucional.









