Unaza e Burrelit, shtohen afro 900 mijë euro të tjera për riparimin e rrugës së shembur

229
Pamje nga terreni: Çarje dhe rënie e asfaltit në unazën e Burrelit, një projekt të shpallur “drejt përfundimit”.

Fatura për Unazën e Poshtme të Burrelit rritet me afro 900 mijë euro të tjera, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zhvilluar tenderin për rehabilitimin e segmentit rrugor prej rreth 960 metrash, i cili kushtoi fillimisht rreth 1.3 milionë euro.

Vetëm pak kohë pas përfundimit të punimeve, në rrugë u shfaqën dëmtime të rënda, me çarje të asfaltit dhe disa shembje të trupit të rrugës, duke e bërë segmentin të pakalueshëm. Për ndërhyrjen e re është përcaktuar një fond limit prej 90.3 milionë lekësh, ndërsa fitues është shpallur kompania “2N” sh.p.k., me një ofertë prej 87 milionë lekësh.

Sipas parashikimeve të projektit të rehabilitimit, ndërhyrja do të përfshijë masa për stabilizimin e terrenit, ndër të cilat ndërtimi i pilotave në një gjatësi prej rreth 300 metrash, me qëllim forcimin e trasesë së dëmtuar nga rrëshqitjet.

Me investimin fillestar dhe fondet e reja për riparimin, kostoja totale e segmentit 960-metërsh kalon në afro 2.2 milionë euro. Një shumë e konsiderueshme për një aks që u ndërtua për të shmangur kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë nëpër qytetin e Burrelit, por që për shkak të dëmtimeve nuk arriti të përmbushë funksionin e tij.

Problemet me Unazën u evidentuan menjëherë pas përfundimit të punimeve. Në terren u konstatuan çarje dhe shembje të karrexhatës, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaroi se do të kryente një ekspertizë për të përcaktuar shkaqet e dëmtimeve dhe ndërhyrjen e nevojshme.

Sipas dokumenteve të bëra publike më herët, projekti fillestar nuk kishte parashikuar rrëshqitjet e terrenit dhe nuk ishin marrë masa të posaçme inxhinierike për këtë problematikë.

REKLAMË