‘Ujin po na e merr kryetari i bashkisë’; tjetër protestë kundër HEC-eve në Mat

739
Foto ilustrim

Disa banorë të fshatit Madhesh në Mat, mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, protestuan të hënën para Bashkisë Mat, kundër ndërtimit të një Hec-i në rrjedhën e lumit të Lunresë.

Banorët akuzuan kryetarin e bashkisë, Agron Malaj se HEC-i që ju merr ujin po ndërtohet nga firma e tij, por të administruar nga i vëllai, Fatos Malaj.

“Fatkeqësisht ne ujin po na e merr kryetari i bashkisë, A.R.M-Albania, prandaj i jam drejtuar personalisht, pasi edhe administrimin e ka vendosur në emër të të vllait”, tha Edi Miza, banor i fshatit Madhesh, në njësinë administrative Ulëz.

Fshati Madhesh ndodhet rreth një kilometër larg HEC-it të Shkopetit dhe aty banojnë 20 familje.

Procedurat për ndërtimin e këtij HEC-i kanë nisur që në fillim të vitit 2020-të. Banorët shprehen se për këtë HEC nuk është marrë dakordësia dhe dëgjesat publike janë bërë në kohën kur vendi ishte izoluar totalisht prej pandemisë COVID-19.

Disa banorë të fshatit Madhesh në Mat, mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, protestë të para Bashkisë Mat, kundër ndërtimit të një Hec-i në rrjedhën e lumit të Lunresë. Foto: Sami Curri

Ish-Kryeplaku i fshatit, Gjergj Gjegji tregon se pak muaj më parë në fshatin Gurrë, është vënë në funksion një HEC, që ju ka marrë ujin e pijshëm. Sipas tij uji është jeta në fshat dhe shërben për të pirë, bagëtitë dhe vaditjen e tokave.

“Një pushtim që nuk po ndalen, e nisën me ujin e pijshëm në Gurrë, e futën në tuba tërsisht, pa marrë dakordësinë nga populli,” tha Gjergji.

“Në këtë fazë të dytë, duan që të marrin edhe ujin vaditës që i shërben po këtij fshati,” shtoi ai.

Zona e Ulëzës ku është projektuar të ndërtohet HEC-i i Madheshit është shpallur në vitin 2013, Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror, i kategorisë së IV. Projekti po kërkohet të zhvillohet nga kompania “A.R.M-Albania sh.p.k”, që rezulton të jetë nën administrimin e Fatos Malaj, vëllai i kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj.

Punimet për ndërtimin e HEC-it nuk kanë nisur, kjo për shkak të protestave që janë zhvilluar nga banorët e zonës dhe moslejimin e mjeteve të kompanisë. Banorët kanë nisur edhe një betejë gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit, pas pushimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë.

Gjovalin Gjergji, banor i këtij fshati tregon se nuk ka ardhur t’i pyesë asnjë njeri për ndërtimin e HEC-it dhe firmat që janë dërguar në shkresën e dakordësisë së banorëve, janë punonjës të bashkisë.

“Ata pretendojnë që në kulmin e pandemisë kanë zhvilluar një takim me banorët, kur vendi ishte izoluar totalisht,” tregoi Gergji.

“Unë kam kullën të ndërtuar kullën në vitin 1920, ne e kemi vendos jetën për atë ujë, për bagëtitë, për tokat,” shtoi ai, ndërsa u ankua se “këta edhe kët dun me e marrë.”