Udhëzimi i ri për TVSH, ja përfitimet tek telekomunikacionet, ndërtuesit dhe rimbursimi i TVSH së naftës

293

Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim të ri, përmes të cilit ndryshon Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për disa sektorë. Sipas këtij udhëzimi, së pari i jepet e drejta operatorëve kryesorë të telekomunikacionit që të mund të zgjedhin të aplikojnë furnizimin e kartave të parapaguara, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore, ose paketave të parapaguara, me anë të distributorëve /furnizuesve të ndërmjetëm, duke zbritur direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg (komisionin), për të gjithë distributorët/ furnizuesit e ndërmjetëm.

Deri sot, nuk parashikohej e lejohej një veprim i tillë. Në këtë rast operatorët kryesorë llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve tarifore/paketave tarifore të telekomunikacionit, që ata u furnizojnë distributorëve/ ndërmjetësve të tyre.

Operatori kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm pa ndikuar TVSH-në e llogaritur, si më lart. Distributorët/ furnizuesit e ndërmjetëm nuk kanë të drejtë të zbresin vlerën e TVSH-së së faturuar nga operatorët kryesorë për furnizimin e kryer, përsa ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë TVSH për furnizimet e mëtejshme të kryera në fazat pasardhëse.

Distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm duhet të lëshojnë faturë tatimore pa llogaritur TVSH, në të cilën çmimi i këtij furnizimi është i barabartë me çmimin përfundimtar (përfshirë TVSH-në) për konsumatorin final, të faturuar prej operatorit kryesor në momentin e furnizimit të këtyre produkteve. Në çdo faturë të lëshuar në furnizimet e mëtejshme nga distributorët/ furnizuesit e ndërmjetëm do të zbritet vlera e ndërhyrjes në treg të hallkave pasardhëse.

Operatori kryesor që zgjedh të aplikojë këtë mënyrë furnizimi, duhet paraprakisht të depozitojë në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse një deklaratë me shkrim, sipas së cilës të shprehet zgjedhja e dëshiruar. Operatori kryesor, detyrohet ta bëjë këtë mënyrë furnizimi, për të gjithë distributorët/furnizuesit e tij të ndërmjetëm dhe për një periudhë jo më pak se 12 muaj të njëpasnjëshëm.

Aplikimi i TVSH për furnizimet e ndërtesave

Në udhëzim përcaktohet gjithashtu e drejta e një furnizuesi (shitësi të ndërtesave) për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimet e ndërtesave, të cilat sipas ligjit të TVSH-së janë të përjashtuara. “Pavarësisht nga trajtimi si furnizim i përjashtuar nga TVSH i furnizimit (shitjes) të ndërtesës ose i pjesëve të një ndërtese, i parashikuar në nenin 53, pika g) të ligjit, personi i tatueshëm që furnizon ndërtesën ose pjesë të një ndërtese, gëzon të drejtën e zgjedhjes për ta trajtuar këtë furnizim si furnizim të tatueshëm me TVSH 20%”, thuhet në udhëzimin e Financave, i cili përcakton gjithashtu se e drejta për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës ose i pjesëve të një ndërtese është e kufizuar dhe nuk mund të ushtrohet prej personave të tatueshëm që furnizojnë apartamente, ndërtesa apo ambiente për banim ose kur blerësi është një individ.

Ndërkohë, pavarësisht të drejtës për të zbritur TVSH lidhur me gazoilin e blerë, personat e tatueshëm, do të duhet që konsumin e tij, ta justifikojnë me volumin e punës së kryer, rrugët e realizuara nga mjeti/et, normativat e konsumit të gazoilit për rrugë ose proces të kryer, etj. Në çdo rast, këto shpenzime duhet të jenë të kryera realisht dhe të justifikuara sipas veprimeve te realizuara për nevoja të veprimtarisë ekonomike, të provuara me dokumentacionin përkatës, por jo më shumë se normativat e përcaktuara në këtë udhëzim”.

Nëpërmjet këtij udhëzimi hiqet dhe kushti që çdo faturë blerje të jetë mbi 10.000 lekë, për të përfituar rimbursimin nga diplomatët, organizatat ndërkombëtare, NATO. Po ashtu, hiqet kushti që e drejta e personit të tatueshëm që të përdorë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve, kufizohet nga numri i klientëve të tij. Udhëzimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.

Anila DODAJ