Trukimet e ndeshjeve nga FC Bulqiza, Alla heq përgjegjësinë

1606
Foto ilustruese

Pak ditë më parë, ekipi i futbollit të Bulqizës, humbi ndeshjen përballë KSSH Veleçiku me rezultatin 0 me 15. Fillimisht një rezultat i tillë nxiti shumë diskutime në rrjetet sociale dhe media, duke ngritur dyshime që një ndeshje e tillë ishte shitur nga ekipi i Bulqizës. Kjo solli që Federata Shqiptare e Futbollit të niste hetim disiplinor.

Në vendimin e kësaj të marte, FSHF vendosi që F.C Bulqiza të përjashtohet nga gara për pesë sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. “Pas marrjes së informacionit të nevojshëm dhe pyetjen e aktorëve të përfshirë në këto ndeshje, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës gjeti se kishte elementë të paracaktimit të rezultateve sportive, gjë e cila është në kundërshtim me parimet e fair-play-t dhe integritetit të garës.” thuhet në deklaratën e FSHF.

Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën gjithashtu edhe vepër penale. “Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale. Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.” thuhet në nenin 197/a të Kodit Penal. Deri më sot nuk ka dijeni nëse organi i akuzës të ketë nisur një hetim për këtë rast.

Sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, F.C Bulqiza është themeluar në janar të vitit 2020 dhe zotërohet me 100% të aksioneve nga Bashkia Bulqizë. Prej themelimit, bashkia ka paguar në llogarinë e ekipit 20,300,000 lekë (të reja) ose afro 168 mijë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptar. Performanca e ekipit ka qenë shumë e dobët, aktualisht në kategorinë e dytë – grupi A, renditur në vendin e nëntë me 24 pikë. Për shkak të mungesës së terreneve sportive, asnjë ndeshje apo seancë stërvitore nuk është luajtur në Bulqizë. Ndërsa ekipi ishte kthyer në fasadë të propagandës së kryetarit të bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.

Pas vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit që pezullonte F.C Bulqizën për pesë sezone, me qëndrim në rrjetet sociale, ka reaguar edhe Alla. Ky i fundit deklaroi se distancohet nga veprimet apo mosveprimet e individëve që akuzohen për një shkelje të tillë – duke shtuar se një vendim i tillë do të apelohej në FSHF, për t’u kërkuar organeve të drejtësisë një hetim më të zgjeruar mbi këtë çështje.

“Nga komunikimet që kemi pasur deri më tani me drejtuesit e KF Bulqiza, konkretisht administratorin dhe trajnerin e ekipit, ata refuzojnë të jenë përfshirë në një aferë të tillë, të ulët për çdo profesionist dhe sportdashës, teksa e justifikojnë rezultatin e ndeshjes në fjalë me mungesën e lojtarëve kryesorë të ekipit, të cilët ishin të dëmtuar dhe kishin probleme shëndetësore.” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Alla.

FSHF dënoi sot tre klube të Kategorisë së Dytë, me dyshimin për trukim të ndeshjeve, konkretisht: Bulqiza, Gramshi dhe FC Internacional Tirana dhe dënimin me dy vite të zyrtarit të ndeshjes Bulqiza-Veleçiku, Memet Koçi, për dështim në raportimin e shkeljeve të Kodit të Etikës. Problemi i paracaktimit të rezultatit të ndeshjeve nuk filloi javën e shkuar në Kategorinë e Dytë, por është një gangrenë me të cilën futbolli shqiptar bashkëjeton prej vitesh.