Tregu botëror i fero-kromit – një përbërës thelbësor në prodhimin e çelikut inox – pritet të njohë një rritje të ndjeshme gjatë dekadës së ardhshme, duke arritur vlerën prej 33 miliardë dollarësh deri në vitin 2034. Këto të dhëna vijnë nga një raport i publikuar së fundmi nga “News.Market.us”, i cili thekson një rritje mesatare vjetore prej 5.4 për qind të këtij sektori. “Market.us News” është një platformë ndërkombëtare e specializuar në raportimin dhe analizën e tregjeve globale, përfshirë sektorët e industrisë së rëndë si metalurgjia, minierat dhe përpunimi i metaleve.
Sipas analizës, faktori kryesor që po shtyn këtë rritje është kërkesa në rritje për çelik inox në sektorët e ndërtimit, prodhimit industrial dhe automobilistik, veçanërisht në rajonet në zhvillim si Azia-Paqësori, Kina dhe India. Pothuajse 80 për qind e fero-kromit në botë përdoret në përpunimin e çelikut inox – transmeton Bulqizaime.al
Segmenti më dominues i tregut vijon të jetë fero-kromi me përmbajtje të lartë karboni, që përbën 85.5 për qind të përdorimit, ndërsa forma granulare mbulon 26.3 për qind të tregut global për shkak të efikasitetit në dozimin industrial.
Në aspektin e përdorimit, industria e ndërtimit mban vendin e parë me 46.4 për qind të konsumit total të fero-kromit, ndjekur nga industria e automobilave dhe sektorë të tjerë të prodhimit të rëndë.
Raporti gjithashtu thekson tendencën në rritje drejt përdorimit të fero-kromit me emetime të ulëta karboni, si pjesë e përpjekjeve për të prodhuar çelik më të qëndrueshëm (“green steel”).
Ekspertët e tregut rekomandojnë që prodhuesit të investojnë në teknologji të reja për smeltim me efikasitet energjetik, të diversifikojnë prodhimin dhe të përmirësojnë zinxhirët e furnizimit me fokus te qëndrueshmëria dhe trasparenca.
Industria e ferokromit në Shqipëri ka qenë një nga sektorët kyç të minierave dhe metalurgjisë në vend. Prodhimi i ferokromit ka filluar në vitin 1979 në Uzinën e Ferokromit në Burrel. Shqipëria zotëron rezerva të konsiderueshme të kromit, veçanërisht në zonat e Bulqizës, Tropojës dhe Klosit dhe jo vetëm, të cilat prej dekadash kanë qenë qendra të nxjerrjes së këtij minerali.
Aktualisht, Albchrome është operatori kryesor i prodhimit të ferrokromit në Shqipëri, me kapacitete të përqendruara kryesisht në uzinat e Burrelit dhe Elbasanit. Megjithatë, aktiviteti i uzinave është shoqëruar shpesh me probleme operacionale, ndërprerje të herëpashershme të prodhimit, si dhe mungesë stabiliteti në funksionim.









