Sulmohet me eksploziv makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi

1711
Makina e dëmtuar nga shpërthimi. Foto: Bulqizaime.al

Një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer në orët e para të së premtes në makinën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së tij në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Rreth orës 01.00, datë 27.08.2021, në pjesën e përparme të automjetit  të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Sipas fqinjëve shpërthimi ka qenë i fuqishëm, dhe një pjesë e murit në afërsi të mjetit të parkuar është rrëzuar.

Policia bëri me dije se janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Bulqizaime.al tentoi të komunikonte disa herë me Debreshin, por deri në publikimin e këtij lajmi ishte e pamundur.

Elton Debreshi prej nëntorit të vitit 2019-të është zgjedhur kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Ky i fundit, së bashku me tre minatorë të tjerë në protestat e dhjetorit 2019-të u shkarkuan nga puna prej kompanisë Albchrome. Debreshi në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25 Prill 2021 kandidoi si i pavarur për deputet.