Strategjia e re minerare drejt miratimit, qeveria synon të rrisë investimet dhe të orientojë sektorin drejt mineraleve kritike

377
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Qeveria po avancon me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026–2040, një dokument që synon të transformojë industrinë minerare shqiptare përmes zgjerimit të kërkimeve gjeologjike, modernizimit të sektorit dhe rritjes së investimeve private.

Projektvendimi, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, u publikua për konsultim publik në dhjetor 2025. Pas përfundimit të kësaj faze, ai është miratuar në mbledhjen e muajit gusht 2026 të Këshillit Konsultativ të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe tashmë pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave.

Dokumenti parashikon një sërë reformash, duke nisur nga përmirësimi i procedurave të licencimit minerar dhe harmonizimi i raportimit të rezervave me standardet ndërkombëtare UNFC/JORC, deri te hartimi i një Programi Kombëtar të Kërkimeve Minerare që pritet të miratohet deri në fund të vitit 2027.

Një nga objektivat më ambicioze të strategjisë është rivlerësimi i të paktën 80 për qind të burimeve dhe rezervave minerare të vendit deri në vitin 2030. Paralelisht, qeveria synon të krijojë paketa të standardizuara të të dhënave gjeologjike për të paktën 20 zona me potencial minerar, me synimin për t’i bërë ato më tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj.

Strategjia vendos gjithashtu objektivin për rritjen me 30 për qind të investimeve private në kërkimet minerare deri në vitin 2030. Kjo pritet të arrihet përmes skemave të bashkëfinancimit publik-privat dhe përmirësimit të klimës së investimeve në sektor.

Në relacionin shoqërues të dokumentit evidentohen disa nga problemet që kanë penguar zhvillimin e industrisë minerare ndër vite. Sipas qeverisë, mungojnë kërkimet e reja minerare, nuk ekziston një program kombëtar i koordinuar për kërkim-zbulimin dhe lejet minerare janë dhënë shpesh pa një orientim të qartë të bazuar në hartat e potencialit gjeologjik.

Një tjetër dobësi lidhet me mungesën e standardizimit të të dhënave minerare sipas praktikave ndërkombëtare dhe me mungesën e një sistemi të konsoliduar për raportimin e rezervave.

Dokumenti vlerëson se sektori minerar shqiptar mbetet i dominuar nga shfrytëzimi i materialeve të ndërtimit, ndërsa prodhimi i mineraleve metalore vijon të jetë modest. Për këtë arsye, strategjia propozon një reformim ligjor, institucional dhe mjedisor me fokus të veçantë te mineralet kritike, të cilat konsiderohen me rëndësi strategjike për ekonominë evropiane dhe teknologjitë e gjelbra.

Për zbatimin e strategjisë parashikohet një rritje e konsiderueshme e financimeve. Për periudhën 2026–2030, dokumenti mbështetet në një financim prej rreth 5.9 miliardë lekësh, ose afro 55 milionë euro, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Specializimit Inteligjent. Ky nivel financimi është dukshëm më i lartë se mesatarja historike e buxhetit të sektorit, ndaj qeveria parashikon që diferenca të mbulohet përmes fondeve të Bashkimit Evropian, investimeve private dhe mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, për periudhën 2031–2040 planifikohet një fazë konsolidimi, ku buxheti i sektorit do të rritet me rreth 3 për qind çdo vit për të garantuar vazhdimësinë e investimeve dhe ruajtjen e kapaciteteve institucionale.

Në analizën financiare, qeveria ka shqyrtuar dy skenarë investimesh dhe ka zgjedhur opsionin me koston më të lartë, që arrin në rreth 181 milionë euro për gjithë periudhën 2026–2040. Sipas dokumentit, ky variant konsiderohet më realist pasi mbështetet në nevojat reale për modernizimin e industrisë, zhvillimin e kërkimeve minerare, dixhitalizimin, survejet ajrore, standardizimin sipas praktikave ndërkombëtare dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Strategjia ndërtohet mbi pesë shtylla kryesore: forcimin e kërkimit dhe vlerësimit të burimeve minerare, modernizimin dhe diversifikimin e zinxhirit të vlerës, përmirësimin e sigurisë dhe standardeve mjedisore, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe teknologjisë, si dhe rritjen e transparencës përmes sistemeve të integruara të informacionit.

Përmes kësaj strategjie, qeveria synon ta zhvendosë industrinë minerare shqiptare nga modeli tradicional i shfrytëzimit të burimeve drejt një sektori të orientuar te mineralet kritike, teknologjitë e gjelbra dhe integrimi në zinxhirët evropianë të furnizimit.

REKLAMË