Situatë alarmante në Spitalin e Bulqizës. Pa ngrohje dhe dy fëmijë në një krevat

633
Pediatria e Spitalit të Bulqizës. Foto nga Bulqiza Televizion

Spitali i Bulqizës ndodhet në një situatë të vështirë ditët e fundit, për shkak të fluksit të lartë të personave që kërkojnë mjekim. Situata më e vështirë paraqitet në repartin e pediatrisë, ku javët e fundit ka patur një fluks të papërballueshëm për kapacitetet akomoduese të këtij spitali, të fëmijëve të sëmurë nga virozat stinore, transmeton Bulqiza Televizion.

Sipas drejtorit të Spitalit të Bulqizës, Shahin Kaja, në repartin e pediatrisë janë shtruar më shumë se 30 fëmijë dhe ka mbi 30 vizita në ditë.

Situata bëhet edhe më e rëndë, ku për shkak të mungesës së shtretërve, në disa raste janë shtruar edhe dy fëmijë në një shtrat.

“Është e vërtetë, kohët e fundit për shkak të virozave gripale ka patur një fluks shumë të madh të fëmijëve dhe po përballohet me shumë vështirësi nga ana jonë. Ka pasur edhe raste të shtrimit të dy fëmijëve në një krevat sepse nuk kemi ku ti akomodojmë, raste të tilla kanë qenë të rralla”, u shpreh Kaja për BTV.

Spitali ka probleme edhe me ngrohjen, ku sistemi qendror i kaldajave nuk funksionon.

“Ngrohja e spitalit me ngrohje qëndrore nuk realizohet sepse ka pasur probleme kaldaja dhe po përdorim reflektorët, kjo është ajo se çfarë mund të bëjmë në një situatë të tillë”, deklaroi Kaja.

Përballë problemeve të tilla, Spitali i Bulqizës prej vitesh ka problem edhe mungesën e mjekëve specialistë. Pak ditë më parë është shkarkuar nga puna edhe mjeku ekograf që ofronte këtë shërbimin në këtë spital, Dr. Leonard Murra.

/bulqizaime.al/