Shupenza dhe Gjorica në qendër të listës së investimeve të Bashkisë Bulqizë për vitin 2026

928

Bashkia Bulqizë u ka shpërndarë anëtarëve të Këshillit Bashkiak dokumentin “Mbi listën e investimeve për vitin 2026”, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të këshillit. Mbledhja do të zhvillohet në datë 24 dhjetor 2025 në orën 13:00. Lista është pjesë e paketës së projekt-vendimeve që lidhen drejtpërdrejt me buxhetin vendor dhe programimin buxhetor afatmesëm.

Sipas dokumentit, investimet e propozuara për vitin 2026 janë të përqendruara kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe shërbimet publike, me financim të shtrirë në tre vite, 2026–2028.

Investimi me vlerën më të lartë është sistemim-asfaltimi i rrugës së Kufirit (Loti I), që lidh fshatin Viçisht (Njësia Administrative Gjoricë) me fshatin Klenjë (Njësia Administrative Trebisht). Projekti ka një vlerë totale prej 114 milionë lekësh me TVSH, nga të cilat 34.2 milionë lekë janë planifikuar për vitin 2026. Financimi vijon në vitet 2027 dhe 2028.

Në vend të dytë renditet sistemim-asfaltimi i disa lagjeve të Njësisë Administrative Shupenzë, me një vlerë totale prej 39 milionë lekësh, ku 11.7 milionë lekë janë parashikuar për buxhetin e vitit 2026. Ky investim synon përmirësimin e rrugëve të lagjeve.

Lista vijon me sistemim-asfaltimin e rrugës së lagjes Priftak, në fshatin Sopot, Njësia Administrative Zerqan, me një fond total prej 26 milionë lekësh, nga të cilat 7.8 milionë lekë janë planifikuar për vitin 2026. Projekti konsiderohet si nevojë emergjente dhe përfitues janë rreth 800 banorë.

Një tjetër investim është sistemim-asfaltimi i rrugës së fshatit Kodra e Danit, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, me vlerë totale 12 milionë lekë, ku 3.6 milionë lekë janë planifikuar në buxhetin e vitit 2026.

Lista mbyllet me shërbime vijëzimesh dhe vendosje tabelash në qytetin e Bulqizës dhe Krastës, me një fond prej 8 milionë lekësh, i cili është planifikuar të financohet i gjithi brenda vitit 2026.

Projekt-vendimi “Mbi listën e investimeve për vitin 2026” do të shqyrtohet nga Këshilli Bashkiak në kuadër të miratimit të buxhetit të Bashkisë Bulqizë për vitin 2026 dhe programimit buxhetor afatmesëm.

Dokumenti është firmosur nga Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Gjithashtu, edhe me firmat e përfaqësuesve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit: konkretisht të Ing. Albin Bodinit, Ing. Vaide Balës dhe Jona Halilit. Procesi i firmosjes mbyllet me Rustem Biçin, në cilësinë e përfaqësuesit të Drejtorisë së Financës.