Shtyhet seanca për gjyqtarin e Matit Rexhep Karaj, njoftoi se ishte sëmurë

596
Gjykatën e Matit. Foto: Sami Curri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për gjyqtarin e Matit, Rexhep Karaj, e planifikuar për tu zhvilluar të mërkurën në orën 10:00.

Kryesuesja e trupit gjykues të KPK, Etleda Çiftja shpjegoi se Karaj kishte dërguar një email ku bënte me dije pamundësinë e tij për të marrë pjesë në seancën dëgjimore për arsye shëndetësore. Çiftja deklaroi se seanca e radhës do të njoftohet në faqen zyrtare të KPK-së.Paralelisht me procesin e vetingut, Karaj është aktualisht në një hetim disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD.

Për justifikime të ngjashme, shqyrtimi i kërkesës së ILD-së për procedimin displinor të këtij gjyqtari u shty nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ një ditë më parë, të martën më 16 nëntor. Karaj kishte pretenduar se ishte sëmurë dhe se të nesërmen, më 17 nëntor kishte seancë dëgjimore në KPK e për rrjedhojë nuk mund të paraqitej në KLGJ.

Procesi i tij i vetingut për gjyqtarin Karaj po kryhet nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Roland Ilia.Rexhep Karaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Matit.