Shtrenjtimi i drurit për zjarr, lë pa ngrohje të varfërit në Bulqizë

938
Fusha e druve në Bulqizë. Foto: Hysen Likdisha/BIRN

Remzi Demiri është minator dhe merr 50 mijë lekë në muaj pagë me të cilën mban familjen prej pesë anëtarësh.  I rritur në këtë qytet me dimër të ashpër ai e di se i duhet të stivojë dru të thata që herët në vjeshtë.

Për të blerë dru ai dhe qytetarë të tjerë janë të detyruar të shkojnë te kompania “Wood Bulqiza” e vetmja e licencuar për të bërë shitjen e tyre në qytet.

Por këtë vit kompania me aksionar të vetëm bashkinë vendosi të rrisë çmimin, nga 3700 lekë metri stere në vitin e kaluar, në 4200 lekë për metër stere për vitin 2022, ku një metër stere dru është rreth 0.6 metër kub.

Demiri thotë se mundi të blinte vetëm 5 metra stere për të cilën shpenzoi 21 mijë lekë ose sa 40 për qind e rrogës së tij mujore.

“Jam vetë i pestë dhe për të kaluar dimrin me duhen 7 metër kub (gati 12 metër stere)”, thotë ai ndërsa shton se rroga e tij prej minatori që plotëson të gjitha nevojat e familjes nuk mjafton për drutë.  “Po mendoj që për të plotësuar diferencën e druve të zjarrit të blej gaz për ngrohje pasi kostoja më del më e ulët”, thotë ai ende duke bërë llogaritë.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2019 tregojnë se druri është lënda kryesore e ngrohjes në Shqipëri. Në qarkun e Dibrës ku bën pjesë edhe Bulqiza 94 për qind e qytetarëve e përdorin atë për ngrohje.

Në një shkrim të tetorit 2021, BIRN gjeti se kërkesa e lartë për lëndë drusore si një alternativë gati e vetme energjetike në zonë, ka dëmtuar mijëra hektarë pyje në Dibër, pavarësisht se vendi ndodhet nën një moratorium për pyjet.

Që çmimi i rritur i ka vënë në vështirësi qytetarët e pranon edhe bashkia e Bulqizës, që ka monopolin e shitjes së druve në qytet.

“Mendoj se nuk është e përballueshme për të gjithë qytetarët pasi ka dhe nga ato me të ardhura të pakta ekonomike”, thuhet në një letër firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i bashkisë, Leonard Daçi.

Por bashkia justifikohet se rritja e çmimit me gati 13.5 për qind ishte e detyruar për shkak të rritjes së kostove. “Sa i përket rritjes së çmimit kjo e krahasuar me një vit më parë duam të theksojmë që të gjitha proceset që nga marrja, prerja dhe transporti sot kanë një kosto më të lartë”, thotë bashkia në përgjigje të kërkesës për informacion.

Bashkia këmbëngul megjithatë se nuk po kërkon të sigurojë fitime, por të ruaj stabilitetin e kompanisë. “Theksojmë që ndërmarrja nga kjo rritje nuk ka për synim rritjen e fitimit, por kjo rritje garanton vetëm qëndrueshmërinë e ndërmarrjes si një shoqëri e cila ka treguar që është e nevojshme dhe e domosdoshme për këtë shërbim”, thuhet në përgjigje me shkrim.

Megjithatë bilancet e kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se ndërmarrja publike i rriti në fakt fitimet nga 570 mijë lekë në vitin 2020 në 1.4 milion në vitin 2021. Në të dy vitet kompania deklaron se pagoi edhe 9.1 milion lekë paga dhe shpërblime.

Por ndërsa qëndrueshmëria financiare e kompanisë duket e sigurt, qytetarët me ndihmë ekonomike nuk kanë zgjidhje. Hysen Balla i tha BIRN se nuk kishte blerë dru, pasi ndihma që merret nuk i mjaftonte. “Shpresa ke Zoti”, tha Balla, duke nënkuptuar se lutej për një dimër të butë.

Megjithatë Bulqiza njihet si një ndër rajonet më të ftohta në vendin tonë, me ngrica dhe acar të skajshëm. Në qytet janë regjistruar temperatura ekstreme deri në minus 32 gradë, para viteve ’90 ngrohja është e detyrueshme.

Behar Cami një tjetër banor, thotë me ironi se ata janë në mal por nuk mund t’i sigurojnë dot drutë e zjarrit. “Bulqiza është zonë e ftohtë dhe vetëm drutë e zjarrit, mundet të sigurojnë ngrohjen e banesës gjatë dimrit, por me rritjen e çmimit, e kemi shumë të vështirë sigurimin e tyre”, thotë Cami.

Banorët ankohen edhe se njësia matëse me të cilën përllogariten drutë e thata fsheh një rritje edhe më të madhe të çmimit. Sipas tyre rritja me 500 lekë e metrit stere e ka bërë çmimin e një metër kub dru, njësinë me të cilën ata i matin nevojat e tyre, në 7 mijë lekë. Një familje thonë ata kërkon minimalisht 5 metër kub dru në një dimër ose të paktën 35 mijë lekë vetëm për dru.

“Nuk dimë çfarë të blejmë më parë, dritat, ujin, ilaçet, drutë, etj me një pension të vogël që marr unë, vetë i shtati në familje?!”, thotë Pëllumb Shehu pensionist.