Shqiptarët e kanë humbur besimin tek institucioni i zgjedhjeve

Ekspertët theksojnë se humbja e besimit në procesin zgjedhor në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit Perendimor është një nënprodukt i kapjes së shtetit nga elitat politike dhe ekonomike.

421
Foto ilustruese

Duke komentuar të dhënat e përftuara nga sondazhi i fundit i Fondit Europian për Ballkanin, të cilat sugjerojnë se një e pjesë e madhe e qytetarëve të rajonit e kanë humbur besimin tek zgjedhjet ose janë të lëkundur, Florian Bieber, profesor dhe drejtues i Qëndrës për Studimet e Europës Juglindore në Universitetin e Grazit, në Austri, theksoi se rotacioni politik në vende si Shqipëria nuk është garanci për zhbërjen e kapies së shtetit.

“Shqipëria vazhdon të mbetet një shembull ku fenomeni i kapjes së shtetit nuk ka ndryshuar, pavarësisht ndryshimit të qeverive,” u shpreh Bieber gjatë prezantimit të një analizë nga Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Europë, BiEPAG.

“Me kalimin e kohës, çdo forcë në mazhorance bëhet më autoritare dhe këto regjime që vazhdojnë në kohë i ndihmojnë tendencat autoritare,” shtoi ai.

Sipas një sondazhi të opinionit publik të realziuar në tetor në të gjashtë vendet e rajoni të realizuar nga IPSOS Marketing për llogari të Fondit Europian për Ballkanin, vetmën 37.9 % e të anketuarve në Shqipëri besojnë se qeveria mund të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve, 29.8 % janë të lëkundur dhe përgjigjen ‘mbase’, ndërsa 28.2 % mendojnë se qeveria mund të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve.

Ky sondazh është realizuar në rang kombëtar në secilin shtet dhe ka përfshirë më shumë se 1000 pjesëmarrës të moshës madhore nga secili vend  nëpërmjet telefonatave apo formularëve online.  Në Shqipëri sondazhi u krye në një raport 90:10, nëpërmjet instrumenteve si telefonata dhe formularët online.

Nga vendet e rajonit, më optimistët se qeveria mund të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve ishin malazezët, ku 80 % e të anketuarave janë përgjigjur ‘po’ pyejtes së sondazhit, të ndjekur nga kosovarët me 56 %, Maqedonia e Veriut me 45.7%, Bosnje dhe Hercegovina me 43.2 % dhe Serbia me 43.1 %.

Optimizmi i malazezëve mund të shpjegohet me faktin se sondazhi është realizuar pas fitores së opozitës pas tre dekadash në zgjedhjet parlamentare 30 gushtit, të cilat i dhanë fundit sundimit 30-vjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve të udhëhequr nga Presidenti Milo Gjukanoviç.

“Në rajon kemi pasur një prapambetje të përgjithshme të demokracisë,” u shpreh Vuja Ilic, Këshillues i Politikave dhe Kërkimeve pranë CRTA, organizatë që monitoron proceset zgjedhore në Serbi.

“Kapja e shtetit vazhdon të jetë konstante,” shtoi ai.

Në një notë më pozitive, Donika Emini, drejtuese e Platformës ‘Civikos’ në Kosovë, theksoi se në shtetin më të ri të Europës ka tashmë një masë kritike e cila beson tek procesi zgjedhor dhe fuqizimi i qytetarëve për të sjellë ndryshim me anë të kutisë së votimit.

“Në Kosovë një element pozitiv është dhe rritja e masës kritike, e nxitur kryesisht dhe prej opozitës,” theksoi Emini.

Megjithatë, ajo shtoi se mungesa e liderëve të zgjedhur në detyrat e larta shtetërore përbënte një problem për vendin.

“Për momentin ne nuk kemi as president e as kryeministër, vetëm president dhe kryeministër në detyrë,” nënvizoi Emini.

“Ndryshimet mund të ndodhin, por kërkojnë një angazhim multifrontial, gjë që në Kosovë nuk ndodh,” përfundoi ajo.