
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe zbatimin e kontrolleve të përbashkëta në kufirin mes dy vendeve, duke hapur rrugën për funksionimin e sistemit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare të Bllatës.
Marrëveshja u firmos këtë të shtunë në Peshkopi nga përfaqësuesit e ministrive të Brendshme të dy vendeve dhe synon të reduktojë procedurat e dyfishta të kontrollit, të shkurtojë kohën e pritjes dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.
Sipas dokumentit, zbatimi i sistemit do të bëhet në mënyrë graduale, përmes protokolleve të veçanta për secilën pikë kufitare, pasi të plotësohen kushtet ligjore dhe operative për funksionimin e tij.
Marrëveshja parashikon gjithashtu mekanizma për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni ndërmjet institucioneve kufitare të të dy vendeve, me synimin për të përmirësuar kontrollin ndaj kriminalitetit ndërkufitar dhe formave të tjera të paligjshmërisë.
Pika kufitare e Bllatës është një nga portat më të rëndësishme lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht për banorët e Dibrës në të dy anët e kufirit. Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të autoriteteve maqedonase, në këtë pikë kanë kaluar gjithsej 1.426.336 udhëtarë, me 732.259 hyrje dhe 694.107 dalje. Krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 834.355 kalime, fluksi është rritur ndjeshëm.
Ndërkohë, pika kufitare Xhepisht–Trebisht është përdorur nga 47.023 udhëtarë gjatë vitit 2025. Kjo pikë shërben kryesisht për banorët e njësisë administrative Trebisht në Bashkinë Bulqizë, ndërsa numri i kalimeve ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë.
Kërkesa për vendosjen e një kontrolli të përbashkët në Bllatë është artikuluar prej vitesh nga përfaqësues vendorë dhe aktorë ekonomikë të zonës, të cilët e kanë konsideruar vonesën në procedurat kufitare si një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Një model i ngjashëm funksionon që prej korrikut 2023 në pikën kufitare të Qafë-Thanës, ku qytetarët dhe mjetet kalojnë përmes një procedure të vetme kontrolli. Vendimi për zbatimin e këtij sistemi ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2022.
Megjithatë, një pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara në atë periudhë nuk janë materializuar ende në projekte konkrete në terren, ndërsa ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues lokalë kanë theksuar vazhdimisht se barrierat administrative dhe mungesa e investimeve të përbashkëta vazhdojnë të kufizojnë potencialin ekonomik të rajonit kufitar.









