Shqipëria dhe Maqedonia e veriut marrëveshje për kontrolle të përbashkëta kufitare

1101
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në Tiranë gjatë Samitit të vendeve në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai Shqipërisë, Edi Rama kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare dhe doganore në vendkalimet kufitare midis dy shteteve, njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja është firmosur gjatë Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Tiranë pak ditë më parë.

Në një deklaratë për media, Zaev tha se marrëveshja është një hap tjetër në ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat si miq të mirë dhe fqinjë kanë si përparësi lehtësimin e rrjedhës ndërkufitare në interes të qytetarëve dhe bizneseve të të dy vendeve.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme, ne i japim fund një procesi serioz për të cilin qeveritë tona kanë punuar për të hapur terminalin ‘one stop shop’ ku qytetarët tanë do të përgjysmojnë pritjet e tyre në kalimet e kufijve tanë, por mbi të gjitha, krijojnë kushte për realizimin e katër lirive evropiane për qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve”, tha Zaev në fjalimin e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërkaq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se kjo marrëveshje do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen midis qytetarëve të të dy vendeve.

Ndryshe, samiti që bëri bashkë në takim liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, kishte në fokus zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve të paraqitur për rajonin nga Komisioni Evropian si edhe rrugën përpara për në samitin e Procesit të Berlinit me udhëheqësit e rajonit.