Shpërndante drogë me furgon, arrestohet shoferi i linjës Tiranë-Klos

3387
Foto nga operacioni policor antidrogë të koduar “Kamuflimi”. Burimi: DVP Dibër

Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Dibrës, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë Yllson Dani, i cili duke u kamufluar si shofer furgoni për transport të qytetarëve Tiranë-Klos-Tiranë, transportonte dhe lëndë narkotike.

“Nga informacionet e grumbulluara më parë dyshohet se ky shtetas duke u kamufluar si shofer për transport pasagjerësh, në linjën Tiranë -Klos -Tiranë, merrte lëndë narkotike në Tiranë, kryesisht kanabis të përpunuar por edhe droga të forta në sasi të vogla me qëllim shitjen e saj dhe ua shiste personave të ndryshëm, ku shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e tyre.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dyshemenë e sediljes së shoferit, shërbimet e policisë gjetën një kuti, ku brenda saj kishte 4 kallëpe me lëndë narkotike kanabis sativa, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë rreth 1 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.