Shpërdorimi i rinisë nga politika si krim kombëtar

530

*Nga Brizida GJIKONDI

Rinia është përherë anti-sistem, anti-pushtet, rinia është simbol i rebelizmit, i reagimit kundër pushtetit. Në reagimin e saj rinia është e pavarur, është kurajoze, është vendimtare. Rinia kurrë dhe prapë kurrë nuk mund të jetë hyzmeqare e pushtetit, aq më pak e një pushteti të korruptuar.

Në momentin që ajo shndërrohet në hyzmeqare e pushtetit, nuk është më rini, por thjesht një hallkë shërbimi, një hallkë fasade, një hallkë përdorimi, një hallkë analfabetësh, që vihen nën këmbët e pushtetit, duke vrarë të ardhmen e tyre dinjitoze si qytetarë të pavarur dhe me integritet.

Të jesh hyzmeqar i një klase politike që ka moshën e të riut që i shërben, tregon që nuk është politika në funksion të të riut por e kundërta, dhe kjo është kriminale, kriminale jo vetëm për jetën e të riut në fjalë, por për modelin që mbart dhe mbarë rininë, që të nesërmen do të jetë e tashmja e atij kombi.

Sa herë shikoj të rinj, të përdorur, të shpërdorur, të hedhur në luftëra mafioze pushtetesh, që ulërijnë, brohorasin, shajnë e mallkojnë për pleqtë e politikës që kanë mbi krye dhe për luftëra e pasuri që s’janë hiç të tyret, më kujtohet kontesha Elizabeth Bathory, kontesha gjakatare që namin në historinë e njerëzimit ia ka dhënë pasioni për të pirë gjakun e virgjëreshave që të zgjaste rininë e saj.

Të rinjtë në të gjithë botën përparimtare tërheqin zvarrë dhe e flakin politikën e vjetër dhe kurrsesi e anasjella. Klasa politike shqiptare po përpiqet që Shqipëria të banohet nga qenie të përkohshme, pa të shkuar, pa të ardhme, të banohet nga vdekatarë pa moshë, nga qenie pa rini. Nga qenie që kult kanë pasurinë e lehtë, injorancën “mirënjohëse” bindjen e verbër, dhe unë personalisht këtë e konsideroj krim kombëtar, krim historik ndaj shqiptarisë. Injoranca është ulëritëse në Shqipëri, është epidemi tashmë e ligjëruar. Shqipëria është një shtet që Akademinë e Shkencave e ka veç godinë prej muri.

Është një shtet ku nuk studiohet asgjë. Nuk ka laboratorë, nuk ka eksperimente, nuk ka analiza, shpikje, patenta, kritika arti, kritika letrare, analiza historike, nuk ka revista letrare dhe shkencore, ka vetëm intriga politike, thashetheme dhe prostitucion vlerash kombëtare. Dhe në këtë terr kombëtar, kokat e krimit që janë dhe kokat e injorancës, po përpiqen që të shtojnë farën e tyre, me skllevër njomëzakë, duke vrarë të ardhmen e një kombi që nuk po ngre dot kokë.

Jo vetëm listat për deputetë, por edhe programet zgjedhore janë tragjike këto zgjedhje; mjafton të shikosh këta dy elementë dhe do kuptosh sa e trishtë është situata. Listat janë të mbushura me hyzmeqarë të bindur, ndërsa programet zgjedhore janë inekzistente. Ka qenë shqetësim i kahershëm i imi përdorimi i rinisë për shërbim politik, por tashmë është kthyer në një tragjedi kombëtare, ku ndërveprojnë prindër injorantë dhe pronarë partish (e të mendosh që këta pronarë partish fëmijët e tyre i kanë gjetiu në harbim, larg shërbimit dhe poshtërimit), dhe shtimi i kësaj race është ogurzi për një komb.

Nuk mund të konvertohet shpirti rebel, i bukur dhe pa pranga i një të riu me një ‘shkuma party’, një palë xhinse, as me një rrogë mediokre shteti; rinia s’ka çmim, dhe po u dogj ajo, ndodh çka filozofët e moçëm paralajmërojnë, që, çdo orë e humbur përgjatë rinisë është një mundësi palumturie për të ardhmen…

Ky shkrim, edhe pse mund të ndihet si emocional, për mua është një britmë shpirti për shpërbërjen e ardhmërisë që po na ndodh; rinia ambicioze po largohet pa rezistencë nga Shqipëria, ajo përtace dhe parazitare anëtarësohet në partitë e pronarëve të vjetër të politikës, ndërsa rinia rebele dergjet në Varrezat e Dëshmorëve.