Shkolla në Zerqan mbetet me 5 nxënës

1066
Shkolla në Zerqan. Foto: Bulqizaime.al

Viti shkollor 2022-2023 do ta gjej shkollën në Zerqan të Bulqizës me vetëm 5 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për shkak të rënies së numrit të nxënësve, tre vite më parë u mbyll plotësisht nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë.

Këtë vit, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Bulqizë, vendosi që mësimi për 5 nxënësit nga klasa e parë deri në klasë të pestë të vazhdoj në Zerqan, në klasë kolektive. Kjo si kërkesë e prindërve të cilët nuk kanë pranuar ti dërgojnë fëmijët në shkollën e fshatit Valikardhë, që ndodhet vetëm 10 minuta larg – ku nuk ka klasa kolektive. Disa nga prindërit e fëmijëve të cilët janë në shkollën e Zerqanit, tregojnë për Bulqizaime.al se e kanë të pamundur ti dërgojnë fëmijët në Valikardhë, pasi transporti kushton dhe nuk mund ta përballojnë.

Edhe pse një detyrim ligjor për sigurimin e transportit të fëmijëve për arsimin bazë në distancë të largët, banorët në Zerqan tregojnë se e paguajnë privatisht transportin e fëmijëve nga Zerqani në Valikardhë dhe se nuk kanë marrë asnjë pagesë nga institucionet shtetërore. Me prindërit që kontaktoi Bulqizaime.al, tregojnë se nëse do të kishte transport të sigurtë për fëmijët, më mirë do të ishte që mësimi të zhvillohej në Valikardhë në klasa të plota.

Emigracioni dhe migrimi i brendshëm kanë krijuar probleme për banorët e mbetur në zonat rurale të cilat janë braktisur masivisht. Disa shkolla në fshatra të ndryshëm u mbyllën në vitet e fundit në të gjithë Dibrën, si rrjedhojë e rënies së numrit të nxënësve, përqendrimit të tyre në shkolla më të mëdha dhe në disa raste, si pasojë e amortizimit të ndërtesave të shkollave.

Shkolla e Zerqanit është ndër institucionet e para arsimore që u hapën në Dibër, që prej 14 marsit të vitit 1893. Me 10 maj të vitit 1910 në këtë zonë u hap shkolla e parë e cila kishte si staf pedagogjik 18 mësues. Në vitet 1925-1926 shkolla kishte 75 nxënës vetëm në qendër, më vonë u hap edhe shkolla për femra. Në dhjetor të vitit 1942 shkolla fillore e Zerqanit mori emrin “Hoxhë Moglica”, në kujtim të martirit të gjuhës shqipe.

Banorët e Zerqanit, tregojnë se një faktor i mbylljes së shkollës ka qenë edhe lejimi i regjistrimeve të fëmijëve nga fshatrat e kësaj zone në shkollat e Bulqizës. Këtë vit u mbyll edhe shkolla e fshatit Strikçan.

Sipas INSTAT, në total në rang vendi për vitin 2021 ishin rreth 383 mijë nxënës të regjistruar në arsimin parauniversitar, pothuajse përgjysmim në raport me vitin 1991, kur shifra ishte rreth 687 mijë. Këtë vit shkollor kanë nisur klasën e parë vetëm 29 mijë fëmijë ose 2.6 herë më pak se para dy dekadash dhe rreth 4% më i ulët se një vit më parë. Sistemi arsimor para- universitar po preket rëndë nga flukset e larta të emigracionit në mosha të reja. Në vitin 2021 u regjistrua dhe niveli më i lartë i të larguarve neto nga vendi në një dekadë, me gati 33 mijë persona që ikën pa kthim. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimin në periudhën e pandemisë, në 2020-n. Përveç emigracionit sistemi arsimor në qarqe është ndikuar rëndë edhe nga migrimi i brendshëm.

Zhvendosja e popullsisë në Rajonin e Qendrës ka ulur numrin e nxënësve në qarqe dhe rritur numrin e klasave kolektive, të cilat cenojnë cilësinë e nxënies. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 1 janar 2022 rezulton që rreth një e treta e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës, qarku më i populluar në vend, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit, me rreth 10 për qind të popullsisë secili.