Disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Bulqizës, kryesisht nga radhët e opozitës, kanë depozituar një kërkesë zyrtare për shkarkimin e sekretarit, Klodian Reçi. Në kërkesën fillestare të firmosur nga shtatë këshilltarë, sekretari aktual akuzohej për shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe të rregullores së brendshme të Këshillit.
Në dokumentin drejtuar kryetarit të Këshillit Bashkiak, këshilltarët theksojnë se sekretari nuk ka përmbushur detyrat funksionale, ka vepruar në mungesë transparence dhe ka penguar informimin e këshilltarëve për vendime të rëndësishme, përfshirë ato të kthyera nga Prefekti. Sipas kërkesës, shpeshherë mungojnë njoftimet në kohë për mbledhjet e këshillit dhe materialet përkatëse.
Një tjetër pikë e ngritur në kërkesë është manipulimi i regjistrimeve audiovizive të mbledhjeve, ku sipas këshilltarëve, sekretari ka ndërprerë regjistrimin ose ka fshirë pjesë të caktuara. Ai akuzohet gjithashtu për shkelje të etikës, sjellje arrogante dhe fyerje ndaj këshilltarëve, si dhe për tejkalim të kompetencave duke vepruar si autoritet vendimmarrës.
Një prej rasteve të përmendura konkretisht lidhet me procesin e administrimit të zgjedhjes së kryesisë në fshatin Vajkal, i cili sipas nismëtarëve të kërkesës, është zhvilluar në kundërshtim me rregulloren dhe pa standarde ligjore.
Përmes një komunikimi elektronik me Bulqizaime.al, Klodian Reçi reagoi ndaj kërkesës për shkarkimin e tij, duke e cilësuar atë si një sulm me prapavijë politike. Ai shtoi se një nga firmëtarët, këshilltari Munir Sinani, ishte tërhequr nga iniciativa, duke e shoqëruar këtë pretendim me një foto të kërkesës, ku shihej një shënim i vetë Sinanit që konfirmonte tërheqjen.
Zgjedhja e Klodian Reçit në këtë detyrë në janar të vitit 2024 ishte një proces i gjatë dhe i tensionuar, shoqëruar me përplasje mes anëtarëve të shumicës dhe opozitës. Disa mbledhje për zgjedhjen e tij dështuan për shkak të bojkotit ose mungesës së kuorumit, pasi kishte anëtarë edhe nga radhët e Partisë Socialiste që nuk ishin dakord me emrin e tij. Opozita në këshill, kishte ngritur shqetësimin se kandidati për këtë pozicion nuk kishte arsimin përkatës, pasi në dosje kishte diplomën e masterit para asaj të baçelorit.
Kërkesa për shkarkim është mbështetur në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” dhe rregulloren e këshillit bashkiak. Sipas kësaj rregulloreje, shkarkimi i sekretarit mund të kërkohet nga të paktën 1/3 e këshilltarëve apo nga çdo grup politik me jo më pak se 5 anëtarë. Vendimi për shkarkim merret nga vetë këshilli me shumicë votash.
Megjithatë, përballë kësaj kërkese, balanca e forcave në Këshillin Bashkiak nuk i favorizon iniciatorët. Opozita ka vetëm 5 këshilltarë në radhët e saj, ndërsa 16 të tjerët janë nga Partia Socialiste dhe parti të vogla që historikisht kanë mbështetur pa kundërshtim propozimet e bashkisë. Në thuajse çdo mbledhje, këta këshilltarë nuk kanë shfaqur reagime publike apo vota kundër.
Votimi për emërimin por edhe shkarkimin e Sekretarit të Këshillit Bashkiak zhvillohet me votim të fshehtë, sipas rregullores së brendshme të këshillit. Ky mekanizëm synon të garantojë lirinë e plotë të shprehjes së vullnetit nga ana e këshilltarëve. Edhe pse opozita nuk e ka shumicën në këshill, votimi i fshehtë mund të krijojë hapësirë për qëndrime individuale nga këshilltarë të mazhorancës që mund të jenë kritikë ndaj mënyrës së funksionimit të sekretarisë.









