Shitblerja e votave në Dibër, SPAK mbyll hetimet për Denis Xholin dhe Abion Çekun

953
Foto ilustruese

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ka përfunduar hetimet në ngarkim të Denis Xholi dhe Abjon Çeku, që u arrestuan tre ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit në Maqellarë të Dibrës.

Nga veprimet hetimore të zhvilluara në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK bën me dije se janë mbledhur prova me anë të të cilave është provuar se i pandehuri Denis Xholi, në bashkëpunim me të pandehurin Abion Çeku, kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë, shuma monetare te persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Po kështu, nga hetimet është provuar se i pandehuri Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me parashikimet e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.” thuhet në njoftimin e SPAK.

Në përfundim të hetimeve, i pandehuri Denis Xholi është akuzuar se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar nga nenet 328-25 dhe 328/a/1 të Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Abion Çeku. është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal.

“Prokuroria e Posaçme sot në datën 18.10.2021 ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Denis Xholi dhe Abion Çeku.” thuhet në njoftimin e SPAK.

Makina në të cilën udhëtonin Xholi me Çekun u bllokua nga mbështetës të Partisë Demokratike pasditen e 22 prillit, me dyshimin se ishin duke shpërndarë para për vota. Makina ka qëndruar e bllokuar për disa orë, deri në mbërritjen e policisë dhe prokurorit dhe në të u gjetën 500 mijë lekë, fletëpalosje të kandidatit të Partisë Socialiste, Melaim Damzi dhe lista me emra votuesish.