“Shërbimet largohen, jo afrohen”, Këshilli Bashkiak i Klosit dhe Bashkia nisin dëgjesat për reformën territoriale

287
Foto ilustrim.

Këshilli Bashkiak i Klosit zhvilloi këtë të enjte një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar qëndrimin institucional ndaj projektit të reformës administrativo-territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Mbledhja u zhvillua pas kërkesës së një të tretës së këshilltarëve bashkiakë, të cilët kërkuan që këshilli të mbajë një qëndrim zyrtar për ruajtjen e ekzistencës së Bashkisë Klos, identitetit territorial dhe interesave të komunitetit.

Në kërkesën e depozituar pranë Këshillit Bashkiak, këshilltarët argumentojnë se ndryshimet e propozuara administrative prekin drejtpërdrejt përfaqësimin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe social të zonës, si dhe identitetin historik të Klosit.

Në rendin e ditës ishin përfshirë informimi dhe debati institucional mbi reformën, shqyrtimi i një rezolute kundër shkrirjes së bashkisë, dërgimi i saj pranë Kuvendit, Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Këshillit të Ministrave dhe Prefektit të Qarkut, si dhe organizimi i konsultimeve publike me qytetarët në njësitë administrative të Bashkisë Klos.

Megjithatë, mbledhja nuk përfundoi me një votim për rezolutën. Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Hazbie Dedolli, sqaroi se ky takim do të shërbejë për diskutime dhe mbledhje opinionesh, ndërsa vendimmarrja do të merret pas përfundimit të dëgjesave publike me komunitetin.

“Do të ketë opinione, do të ketë propozime, por pasi të bëjmë dëgjesat publike do të ulemi përsëri dhe do të dalim me një vendim përfundimtar që do t’ua përcjellim institucioneve”, tha Dedolli.

Këshilltarët kundër shkrirjes: “Shërbimet nuk afrohen, por largohen”

Gjatë diskutimeve, disa këshilltarë ngritën shqetësime mbi pasojat që mund të ketë bashkimi i Klosit me Matin, duke argumentuar se një bashki më e madhe nuk garanton domosdoshmërisht shërbime më të mira për qytetarët.

Një prej këshilltarëve, Albert Çollaku solli si shembull reformën e mëparshme territoriale, ku komunat u zëvendësuan me njësi administrative dhe administratorë, duke argumentuar se qytetarët nuk kanë përfituar më shumë shërbime.

“Komunat i zëvendësuam me administratorë. Sot ata marrin paga më të larta se ish-kryetarët e komunave. Cili është përfitimi? Çfarë të mire mori komuniteti? Asnjë, vetëm se iu largua vendimmarrja qytetarit”, u shpreh ai.

Sipas tij, edhe një përfaqësim i vogël i Klosit në një këshill të bashkisë së re do të kishte ndikim të kufizuar në vendimmarrje.

Ai solli si shembuj zhvendosjen e institucioneve nga Burreli drejt Peshkopisë, heqjen e kompetencave për ujësjellësin dhe largimin e shërbimeve nga qytetarët.

“Na thuhet se reforma do të sjellë shërbime më të mira, por shembujt që kemi parë tregojnë të kundërtën. Gjykata dhe Prokuroria u larguan nga Burreli, ujësjellësit kaluan në struktura rajonale dhe qytetari ka më shumë vështirësi për të marrë shërbime”, deklaroi Çollaku.

Këshilltari argumentoi gjithashtu se Bashkia Klos plotëson kriteret për të vijuar ekzistencën si njësi më vete, duke përmendur potencialin ekonomik, pasuritë natyrore, turizmin, historikun administrativ dhe aftësinë për të ofruar shërbime.

“Kur dal sot te kilometri zero dhe shikoj tabelën ‘Klos’, ky është emri im. Mos ma hiqni këtë emër që e kam mbajtur me breza”, tha ai, duke marrë duartrokitje nga të pranishmit.

Propozohen dëgjesa, peticion dhe protesta

Këshilltari Edison Leti kërkoi që reagimi i Këshillit Bashkiak të ketë dy drejtime: institucional dhe qytetar.

Sipas tij, fillimisht duhet të zhvillohen dëgjesa publike dhe një peticion me banorët e Bashkisë Klos për të mësuar qëndrimin e tyre, ndërsa më pas këshilli duhet të dalë me një vendim unanim.

“Ne jemi zgjedhur nga qytetarët e Bashkisë Klos dhe kemi detyrën morale që të mbrojmë votën e tyre. Reagimi duhet të jetë edhe me protesta qytetare në Klos, në Rrugën e Arbrit dhe pse jo edhe në Tiranë”, tha ai.

Edhe këshilltarë të tjerë kërkuan që vendimi të merret mbi bazën e opinionit të qytetarëve dhe jo vetëm nga institucionet.

Këshilltari Gentjan Gjinaj theksoi se dokumentacioni për reformën ka mbërritur vonë në bashki dhe kërkoi që të ndiqen procedurat ligjore, ku fillimisht duhet të dalë qëndrimi i kryetares së bashkisë dhe më pas të shqyrtohet nga këshilli.

“Duhet të kuptojmë çfarë mendojnë njerëzit. Nuk është vetëm çfarë mendojmë ne këtu. Duhet të dëgjohet komuniteti”, tha ai.

Kola: “Kryetari i bashkisë është shërbëtor i komunitetit”

Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi se institucioni që ajo drejton është njohur zyrtarisht me projektin vetëm pak ditë më parë dhe se procesi do të zhvillohet sipas afateve ligjore.

Ajo bëri të ditur se propozimi për reformën territoriale ka një afat 60-ditor për shqyrtim dhe se gjatë kësaj kohe do të zhvillohen dëgjesa publike në të gjithë territorin e bashkisë.

“Brenda këtyre 60 ditëve kemi kohën e mjaftueshme për të dalë, për të bërë dëgjesat publike në çdo cep të territorit dhe për të dëgjuar mendimin e të gjithë qytetarëve”, tha Kola.

Kryebashkiakja theksoi se qëndrimi i saj do të jetë i lidhur me vullnetin e komunitetit.

“Kryetari i bashkisë është thjesht një shërbëtor i komunitetit të cilin e ka besuar dhe e ka votuar. Karrigia e bashkisë është e qytetarëve. Unë si e zgjedhur do të jem me mendimin e qytetarëve. Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, do të jem kundër”, deklaroi Kola.

Qytetarët kërkojnë qëndrime më të forta

Mbledhja u shoqërua edhe me reagime nga qytetarët e pranishëm. Disa prej tyre kërkuan që këshilltarët të mbajnë një qëndrim më të prerë dhe të mos kufizohen vetëm në procedura institucionale.

Një prej qytetarëve kritikoi vazhdimisht largimin e shërbimeve nga zonat e vogla dhe kërkoi mobilizim më të madh.

“Shkollat po mbyllen, institucionet po largohen, bashkitë po bashkohen. Nuk bëhet më kjo punë vetëm me fjalë. Duhet të ngrihemi”, tha ai.

Një tjetër banor ngriti pyetjen nëse dëgjesat dhe peticionet janë të mjaftueshme, duke kërkuar që këshilli të marrë një vendim të drejtpërdrejtë.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli Bashkiak vendosi që dëgjesat publike të zhvillohen në bashkëpunim me Bashkinë Klos, pa krijuar një proces paralel. Pas përfundimit të konsultimeve me qytetarët, pritet një mbledhje e dytë ku do të miratohet qëndrimi përfundimtar institucional ndaj reformës territoriale.

REKLAMË