Senatori McCain në Tiranë, përfundon takimet me Nishanin, Metën dhe Bashën

211

Prej mëngjesit të sotëm senatori amerikan, John McCain po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Fillimisht senatori u prit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e njohu me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë për të vijuar në këtë drejtim, të bindur se jemi në rrugën e duhur.

Senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane.

Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.

Gjithashtu ministrja Kodheli u ndal edhe te kontributi i vendit tonë si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, kontribut të cilin ministrja Kodheli e cilësoi të duhur dhe të drejtë.

Shqipëria jep kontributin e saj në misionin paqeruajtës Resolute Support në Afganistan dhe ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.

McCain takoi fillimisht në ambientet e ambasadës amerikane, ambasadorin Donald Lu.

Takimi i tij i parë më krerët e shtetit shqiptar, u zhvillua me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Takimi McCain-Meta zgjati mbi 30 minuta.

Ndërsa rreth orës 15:50, senatori amerikan iu drejtua selisë së Partisë Demokratike ku takoi kryetarin demokrat, Lulzim Basha.

“Kënaqësi dhe nder i veçantë takimi i sotëm me Senatorin John McCain, një mik i madh i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve.

Heroi amerikan, që ka sakrifikuar për kauzën e lirisë, ka qenë përherë një zë i fuqishëm në krah të përpjekjeve të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim në botën euro-atlantike”, shkruan Basha.

Rreth orës 17:00 përfundo iedhe takimi me kreun e shtetit Bujar Nishani.

Ndërsa në vijim ai pritet të takojë edhe kryetarin e ekzekutivit shqiptar, Edi Rama.