Saga e “Dosjes 184” shtyhet sërish në Gjykatën e Dibrës

323
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Gjykata e Dibrës shtyu të mërkurën seancën e gjykimit për dy të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër. Ping-pongu për shtyrjen për të disatën herë të seancës u mor për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve, por edhe për shkak të mungesës së një prej të pandehurve, Hasan Hoti.

Në seancën e së mërkurës ishte i pranishëm vetëm Robert Aga, njëri prej të akuzuarve nga prokuroria, me akuzën për “shpërdorim detyre”.

Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe ish-shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” kanë kërkuar gjykim të thelluar dhe po gjykohen në një proces të ndarë nga pjesa tjetër e të akuzuarve.

Avokatët e të pandehurve kishin sjellë në Gjykatën e Dibrës arsyetimin të ndryshme për mungesën në seancë – për arsye se nuk ndodhej në zyrë në momentin e njoftimit, ndodhej me pushime etj. Prokurori i çështjes, Urim Buci ishte dakord që gjyqi të shtyhej në mungesë të avokatëve dhe njërit prej të pandehurve.

Robert Aga, ish-shefi i Komisariatit të Policisë në Dibër, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” tha në sallën e gjyqit që kjo ishte hera e 18-të që vinte pranë kësaj gjykate për të marrë vendim për një çështje që ka vite. Por ai pranoi para gjykatës se komunikimi i fundit që kishte pasur me avokatin e tij kishte qenë para tre javësh. Gjyqtarja Nertila Kape i kërkoi Agës që të komunikonte me përfaqësuesin e tij ligjor që të merrte pjesë në seancën e radhës.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar i cili po ashtu është shtyrë disa herë.

Dosja 184 që solli debate të shumta në skenën politike në vend u mbajt për një kohë të gjatë në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas ndërroi disa herë duar prokurorësh duke e kthyer në një ping-pong mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Dibrës për çështje të kompetencës.  Përpos seancave të fillimit të gjykimit të kësaj dosje, në seancat e tjera nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i opozitës, që për shumë kohë e kishte kthyer në kalin e betejës së Partisë Demokratike, nën arsyetimin e mbrojtjes së votës së lirë.

Seanca e radhës për dy të akuzuarit e dosjes 184 është vendosur më 28 shtator në orën 14:30.