Rruga Qafa e Buallit–Martanesh shkon në afro 22 milionë euro, ARRSH hap tender të ri për përfundimin e punimeve

387
Foto ilustrim

Mbi dy vjet pasi nisën punimet për rehabilitimin e rrugës Qafa e Buallit–Martanesh, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur një procedurë të re prokurimi me vlerë mbi 11.2 milionë euro për të përfunduar investimin, duke konfirmuar se segmenti 16.5 kilometra mbetet ende larg përfundimit.

Sipas njoftimit të publikuar nga ARRSH, objekti i tenderit është “Plotësim i punimeve rruga Qafa e Buallit – Martanesh”, me një fond limit prej 1,040,727,690 lekësh pa TVSH, ose rreth 11.17 milionë euro. Kontrata parashikon një afat zbatimi prej 24 muajsh, ndërsa ofertat do të hapen më 9 shtator 2026.

Dokumentacioni teknik i hartuar nga shoqëria projektuese Infratech sh.p.k. tregon se, megjithëse një pjesë e madhe e gërmimeve dhe mbushjeve është realizuar, projekti kërkon ende një sërë punimesh të rëndësishme për ta bërë rrugën plotësisht funksionale dhe të sigurt.

Punimet e mbetura përfshijnë përfundimin e gërmimeve dhe stabilizimin e skarpatave në segmentet problematike, ndërtimin e mureve mbajtëse me gabione, sistemin e drenazhimit, si dhe realizimin e të gjitha shtresave rrugore, nga stabilizanti deri te shtresa përfundimtare e asfaltobetonit.

Një pjesë e rëndësishme e investimit lidhet edhe me mbrojtjen e rrugës nga rënia e gurëve. Projekti parashikon vendosjen e rrjetave metalike me rezistencë të lartë të ankoruara në shkëmb, si dhe barriera dinamike në tetë zona të identifikuara me rrezik të lartë për rrëshqitje gurësh.

Në paketë përfshihen gjithashtu barrierat metalike të sigurisë sipas standardeve europiane, sinjalistika horizontale dhe vertikale, sistemimi përfundimtar i trupit të rrugës dhe zonave anësore, ndërsa punimet do të realizohen sipas një plani të menaxhimit të trafikut dhe me kontrolle topografike e laboratorike në çdo fazë.

Punimet për rehabilitimin e këtij aksi nisën më 27 shkurt 2024, pasi bashkimi i operatorëve ekonomikë “BE-IS”, “ERGI” dhe “Vëllezërit Hysa” sh.p.k. fitoi kontratën fillestare me një vlerë prej rreth 11 milionë euro. Sipas kontratës së parë, rruga duhej të përfundonte brenda 13 muajve, çka do të thoshte në pranverën e vitit 2025.

Megjithatë, afati nuk u respektua dhe punimet vijuan edhe gjatë vitit 2026. Në terren janë realizuar gërmime, sistemime të trupit të rrugës, ndërtim veprash kulluese dhe vendosje të disa mbrojtëseve metalike, por segmenti mbetet ende i papërfunduar.

Me tenderin e parë prej rreth 11 milionë eurosh dhe procedurën e re të shpallur për 11.17 milionë euro, kostoja totale e investimit për rehabilitimin e rrugës Qafa e Buallit–Martanesh arrin në rreth 22 milionë euro (afro 2.08 miliardë lekë pa TVSH). Kjo do të thotë se për një aks prej vetëm 16.5 kilometrash në kategorinë C3 të rrugëve interurbane dytësore, vlera mesatare e investimit shkon në rreth 1.34 milionë euro për kilometër, duke e bërë atë një nga projektet rrugore me koston më të lartë për kilometër.

Rruga Qafa e Buallit–Martanesh është një nga akset më problematike në qarkun Dibër. E ndërtuar në vitet ’80 për t’i shërbyer industrisë minerare, ajo nuk ka njohur ndërhyrje të plotë për dekada, duke u amortizuar rëndë nga qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë krom.

Për banorët e Martaneshit, ky aks vazhdon të mbetet jetik për lidhjen me Bulqizën dhe pjesën tjetër të vendit. Përgjatë tij ndodhen dhjetëra lapidarë që dëshmojnë aksidentet fatale të ndodhura ndër vite, ndërsa banorët e kanë quajtur shpesh “rruga e vdekjes”. Në të njëjtën kohë, zona e Martaneshit është një nga rajonet më të pasura me minerale në vend, ku operojnë dhjetëra subjekte minerare, hidrocentrale dhe fabrika të përpunimit të kromit. Shpallja e tenderit të ri tregon se përfundimi i plotë i investimit do të kërkojë të paktën edhe dy vite të tjera pune, nëse procedura zhvillohet sipas afateve të parashikuara

REKLAMË