Reshjet e borës, ARRSH apelon për kujdes tek drejtuesit e automjeteve

674
Foto ilustruese nga ARRSH

Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se për shkak të reshjeve të dëborës në disa akse kombëtare qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Në jug të vendit situata ka pasur përmirësim të ndjeshëm dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

Sipas ARRSH, situata në rajonin qendror paraqitet e stabilizuar, por në disa segmente si Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik rekomandohet që drejtuesit e automjeteve të përdorin zinxhirë.

Kurse në zonën e veriut reshjet e dëborës janë shoqëruar me erë të fortë dhe kjo ka bërë që qarkullimi i automjeteve të bëhet me zinxhirë, ndërsa puna vijon për pastrimin e dëborës .

Konkretisht, ARRSH-ja thekson se përdormi i zinxhirëve është i detyrueshëm në këto segmente rrugore; Peshkopi-Ushtelencë, Peshkopi-Qafë Drajë,  Urë Çerenecit-Klenjë, Trebisht-Doganë, Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Qafë Mali- Fierzë, Qafë Bualli-Bulqizë-Peshkopi.

Autoritetet kërkojnë nga drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në udhëtim, të pajisen me zinxhirë dhe me goma dimërore.