Refuzoi dhënien e informacionit, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit gjobit administratorin e UKD-së, Mario Bakalli

717
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, drejtuesi i AKUM dhe administratori i UKD-së, gjatë një inspektimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura për qytetin e Burrelit. Foto: MIE

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit ka gjobitur me 150,000 lekë (të reja) drejtuesin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës kanalizime Dibër, Mario Bakalli. Ky i fundit, në cilësinë e titullarit, ka refuzuar dhënien e informacionit për tre kërkesa të dërguara nga Bulqizaime.al.

Bulqizaime.al në shtator të vitit 2023 ju drejtua UKD-së me një sërë shkresash, duke i kërkuar disa informacione dhe dokumente publike, të cilat ky institucion u përgjigj pjesërisht përmes zvarritjeve në afate, ndërsa për tre shkresa UKD refuzoi të përgjigjej.

UKD në asnjë rast nuk pranoi të jepte strukturën e pagave, listën e të punësuarve si dhe dokumente të tjera për procedura prokurimi. Bazuar në “Ligjin për të Drejtën e Informimit” duhej të vendoste në dispozicion dokumentet publike. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit zhvilloi një seancë ballafaqimi me gazetarin e Bulqizaime.al dhe përfaqësuesit e UKD-së. Këta të fundit paraqitën pretendimet e tyre, por me kalimin e ditëve nuk ndryshuan qëndrim për të dhënë informacionin të kërkuar.

Në shkresat e drejtuesit të shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Dibër, Mario Bakalli, deklaronte se dhënia e informacionit ka rrezik të keqpërdoret nga individë për veprimtari të jashtëligjshme si disinformim, shpifje, apo shantazh.

E drejta për informim për punën e institucioneve publike dhe dokumenteve zyrtare është e garantuar me ligj dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit në përfundim të procesit të ankimit të Bulqizaime.al, doli me një vendim afro 6 muaj pas dorëzimit të kërkesave për Informacion dhe ankesave, duke vendosur se pretendimet e UKD-së ishin të kundraligjshme.

“Për sa më sipër nga verifikimi i dokumentacionit të vendosur në dispozicion pas vendimeve përkatëse, si dhe qëndrimit të parashtruar nga ankuesi, Komisioneri konstaton se, Autoriteti Publik nuk arriti të provojë vënien në dispozicion të informacionit/dokumentacionit të kërkuar. Rrjedhimisht, rezulton se Autoriteti Publik nuk ka zbatuar vendimet me nr. 54, datë 07.12.2023, nr. 58, datë 11.12.2023 dhe nr. 59, datë 11.12.2023 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kundërshtim kjo, me pikën 6/1 të nenit 24, të LDI, në të cilin parashikohet se: “Autoriteti Publik është i detyruar të zbatojë vendimin e Komisionerit kur ka urdhëruar dhënien e informacionit të kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos pezullimin e zbatimit te tij” , ishte konkluzioni i Zyrës së Komisionerit, pasi shqyrtimit të ankesave dhe përgjigjeve në rrugë elektronike të Bulqizaime.al.

Prej shtatorit të vitit 2022 në kudër të reformës së ujit, do të themelohej Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër. Zotërues të shoqërisë janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që kontrollon 51% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve zotërohen nga katër bashkitë e qarkut Dibër. Nga fillimi i procesit të bashkimit të ujësjellësve që synonte rritjen e eficiencës së sektorit dhe përmirësimin e situatës financiare, Shoqëria Rajonale Ujësjellës – kanalizime Dibër ka dështuar në marrjen e ish-ujësjellsave të bashkive në dorëzim, administrim si dhe të miratojë çmimet e unifikuara në të gjithë territorin. Gjithashtu UKD rriti edhe më shumë numrin e të punësuarve në administratë dhe tenderimin e miliona eurove për disa projekte.

Disa ditë pas vendimit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, mësohet se Bakalli është larguar nga detyra e administratorit të UKD-së.

Bulqizaime.al në ditët në vijim do ta referoj rastin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim marrjen e dokumenteve me karakter publik, kërkuar nga UKD.