Reforma territoriale, qytetarët e Klosit thirren në konsultime publike

178
Godina e Bashkisë Klos. Foto: Bulqizaime.al

Bashkia Klos dhe Këshilli Bashkiak kanë publikuar kalendarin e konsultimeve publike për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, duke nisur zyrtarisht procesin e dëgjimit të qytetarëve për propozimin që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Dëgjesat do të zhvillohen në katër njësi të territorit të bashkisë, duke nisur më 24 gusht në Xibër dhe duke vijuar në Gurrë, Suç dhe Klos. Takimi i fundit do të zhvillohet më 27 gusht në sheshin përpara Bashkisë Klos. Qytetarët janë ftuar të paraqesin mendimet, sugjerimet dhe qëndrimet e tyre për reformën.

Sipas njoftimit të Bashkisë, takimet do të zhvillohen në orën 18:00, ndërsa sugjerimet me shkrim do të pranohen deri më 30 gusht 2026. Dokumentet e Kuvendit që lidhen me Reformën Administrativo-Territoriale 2.0 janë vënë gjithashtu në dispozicion të qytetarëve.

Konsultimet vijnë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Klos, ku këshilltarët diskutuan për herë të parë në mënyrë institucionale propozimin për shkrirjen e bashkisë me Matin. Në atë mbledhje, Këshilli nuk votoi rezolutën e propozuar kundër shkrirjes, por vendosi që të bashkohet me Bashkinë në procesin e dëgjesave publike dhe që një qëndrim përfundimtar të merret pasi të dëgjohet komuniteti.

Gjatë mbledhjes, disa këshilltarë argumentuan se bashkimi me një njësi më të madhe nuk do të garantonte domosdoshmërisht shërbime më të mira për banorët. Një prej tyre e përmblodhi shqetësimin me shprehjen: “Shërbimet largohen, jo afrohen”, duke sjellë si shembuj largimin e disa institucioneve dhe centralizimin e shërbimeve në zona të tjera të qarkut.

Kalendari

Këshilltarët kërkuan që qytetarët të pyeten drejtpërdrejt për të ardhmen e Bashkisë Klos, ndërsa u hodh edhe ideja e një peticioni dhe, nëse do të jetë e nevojshme, e protestave kundër reformës.

Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi se qëndrimi i saj do të përcaktohet nga vullneti i qytetarëve. Gjatë mbledhjes së Këshillit, Kola tha se kryetari i bashkisë është “shërbëtor i komunitetit” dhe se ajo do të mbështesë qëndrimin që do të dalë nga konsultimi me banorët.

“Nëse qytetarët do të jenë pro – do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër – do të jem kundër”, deklaroi Kola.

Tashmë procesi kalon në fazën e konsultimit publik. Përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak kanë deklaruar se do të marrin pjesë së bashku me Bashkinë në dëgjesa, në mënyrë që të mos zhvillohen procese të dyfishta dhe që qëndrimi i ardhshëm institucional të mbështetet në opinionin e qytetarëve.

Në fokus të këtyre takimeve pritet të jenë jo vetëm ruajtja ose shkrirja e Bashkisë Klos, por edhe çështje që lidhen me përfaqësimin politik, afërsinë e shërbimeve me qytetarët, zhvillimin ekonomik, historikun administrativ dhe perspektivën e zonës.

Pas përfundimit të konsultimeve, Këshilli Bashkiak pritet të rikthehet në një mbledhje të dytë për të përcaktuar qëndrimin zyrtar ndaj Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.

Për momentin, Klosi nuk ka një rezolutë të miratuar kundër shkrirjes. Qëndrimi institucional do të formësohet pas dëgjesave me qytetarët dhe procesit të konsultimit publik.

REKLAMË